Gjatë protestës së zhvilluar sot para godinës së Kuvendit në Tiranë, disa protestues kanë vendosur një kazan plehrash pranë hyrjes së institucionit, duke shoqëruar veprimin me thirrje protestuese.
Sipas pamjeve dhe deklarimeve nga vendngjarja, protestuesit dëgjoheshin duke thënë: “Këtu e keni vendin!”, ndërsa kërkonin gjithashtu arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Gjatë tubimit u raportuan edhe thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ku protestuesit shpreheshin: “Rama n’kosh, Berisha n’kosh”.
Ndërkohë, në të njëjtën kohë që vijonte seanca plenare në Kuvend, qytetarë të pranishëm në protestë vijuan të qëndrojnë jashtë ambienteve të institucionit, duke shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj situatës politike.
Paralelisht, një grup studentësh ka protestuar me një qasje të ndryshme, duke ngritur shqetësimin për trajtimin e protestuesve nga autoritetet. Ata akuzojnë për standarde të dyfishta në zbatimin e ligjit dhe kërkojnë që masat ndëshkuese të mos aplikohen ndaj studentëve, ndërsa kërkojnë veprim ndaj personave që, sipas tyre, bllokojnë rrugët me automjete.
“Jemi kundër dy standardeve. Nuk duhet të procedohen studentët, ndërsa makinat bllokojnë rrugët e Tiranës, bllokojnë trafikun. Jemi në protestë dhe i kemi të qartë kërkesat. Gjoba deputetëve dhe mos procedoni studentët”, u shprehën ata.
Protesta vijon të zhvillohet në zonën përreth Kuvendit, ndërsa autoritetet nuk kanë raportuar për incidente të tjera deri në këtë moment.







