Një call center është zbuluar nga policia në lagjen “Vasil Shanto” të Shkodrës, ku kryhej mashtrim kompjuterik. Lidhur me këtë operacion janë arrestuar 4 persona.
Policia njofton se të arrestuarit janë organizatorë dhe drejtues të kësaj veprimtarie. Gjithashtu janë proceduar 61 punonjës, të cilët u kapën në flagrancë. Policia ka sekuestruar 152 pajisje elektronike, nëpërmjet të cilave dyshohet se kryhej mashtrimi, si dhe materiale të tjera me interes për hetimin.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në funksion të një procedimi penal, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Network”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-F. P., 37 vjeç, banues në fshatin Bajzë, administrator i subjektit;
-L. M., 43 vjeç, B. N., 41 vjeç dhe N. B., 42 vjeç, të tre banues në Shkodër.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas organizonin veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik në këtë subjekt dhe drejtonin grupet e punonjësve. Gjatë operacionit, në ambientet e subjektit u kapën në flagrancë, gjatë ushtrimit të aktivitetit, 61 shtetas, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë.
Gjatë kontrollit të ambienteve u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 152 pajisje elektronike (kompjuterë, laptopë dhe pajisje të tjera të përdorura për ushtrimin e veprimtarisë), një shumë parash, si dhe materiale të tjera me interes për hetimin”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.







