Ballina Kulturë Identiteti shqiptar në këndvështrimin analitik të Prof. dr. Astrit Memia

Identiteti shqiptar në këndvështrimin analitik të Prof. dr. Astrit Memia

93
0

Për librin “Shqiptarët – nga e kaluara, në të tashmen dhe drejt së ardhmes mes paqes dhe stabilitetit”

Nga Halil Rama Mjeshtër i Madh 

Dr. Astrit Memia Memia mbart një trashëgimi të rëndë historike, ndaj dhe ka zgjedhur ta përjetësojë atë jo vetëm përmes kujtesës, por përmes analizës së mirëfilltë të ngjarjeve në koherencë me realitetin e sotëm që përjetojnë shqiptarët, jo vetëm brenda kufirit shtetëror, por në gjithë hapësirën mbarëshqiotare në botë

Prof. Asoc. Dr. Astrit Memia , studiues, avokat dhe kontribues i shquar i elitës shqiptare, i vlerësuar për veprat e tij akademike dhe promovimin e vlerave kulturore, duke përfshirë botimin e leksikonit enciklopedik të njohur si Ambasador i imazhit shqiptar në botë, vjen sërish me një vepër shumëdimensionale, me fokus çështje që prekin drejtpërdrejt identitetin shqiptar.

E botuar në shqip dhe gjermanisht, vepra e tij “Shqiptarët – nga e kaluara, në të tashmen dhe drejt së ardhmes mes paqes dhe stabilitetit”, me redactor dr. Albert Gjoka, përcillet tek lexuesi me një analizë të thelluar nga Prof. Dr. Vullnet Ameti – Prorektor për shkencë i Universitetit të i Tetovës.

Me një kontribut madhor në historiografinë shqiptare, A.Memia sjell kësisoj në memorien kombëtare një përmbledhje ngjarjesh të vendosura në rend kronologjik, si referenca shkencore në historinë e kombit shqiptar. Ndaj më të drejtë Prof. Dr. Vullnet Ameti e vlerëson veprën e z.Memia si përfaqësim të dinjitetshëm të kujtesës kolektive të një populli, me reflekse në trashëgiminë shpirtërore që përcillet ndër breza dhe bazën mbi të cilën ndërtohet identiteti, vetëdija dhe vizioni për të ardhmen. Kjo edhe për faktin se si pasardhws i Haxhi Zekws, Astriti ka një përkushtim të thellë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, si dhe ndaj paqes globale. Si i tille mbart një trashëgimi të rëndë historike, ndaj dhe ka zgjedhur ta përjetësojë atë jo vetëm përmes kujtesës, por përmes analizës së mirëfilltë të ngjarjeve në koherencë me realitetin e sotëm që përjetojnë shqiptarët, jo vetëm brenda kufirit shtetëror, por në gjithë hapësirën mbarëshqiotare në botë. Edhe vepra e tij e sapobotuar me titullin sinjifikativ “Shqiptarët – nga e kaluara, në të tashmen dhe drejt së ardhmes mes paqes dhe stabilitetit” është dëshmi e kësaj qasjeje: një platformë ku historia, kultura dhe kontributi bashkëkohor bashkohen për të ndërtuar një narrativë dinjitoze të kombit shqiptar. Kjo sepse ai i qaset denjësisht historisë së kombeve që njohin historinë e tyre, që e studiojnë atë me përgjegjësi dhe e ruajnë si pjesë të qenies së tyre, që janë më të afta të përballojnë sfidat e kohës dhe të ndërtojnë të ardhmen mbi themele të qëndrueshme. Parë nga ky këndvështrim, Prof. Dr. Vullnet Ameti vlerëson se vepra “Shqiptarët – nga e kaluara, në të tashmen dhe drejt së ardhmes mes paqes dhe stabilitetit” e Prof. Dr. Astrit Memisë paraqet një kontribut të rëndësishëm në literaturën bashkëkohore shqiptare, duke trajtuar një nga temat më të ndjeshme dhe më të rëndësishme për çdo komb: rrugëtimin e tij historik, identitar dhe civilizues. Kjo sipas tij për faktin se ky libër vjen në një periudhë kur shoqëria shqiptare, ashtu si shumë shoqëri të tjera në Evropë dhe më gjerë, përballet me sfida të reja që lidhen me globalizimin, transformimet teknologjike, lëvizjet demografike, integrimet rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe me nevojën për ruajtjen e identitetit kombëtar në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur.

“Në këtë realitet dinamik, njohja e historisë dhe e rrënjëve tona nuk përbën vetëm një vlerë kulturore, por një domosdoshmëri strategjike për të kuptuar vendin tonë në të tashmen dhe drejtimin që duhet të ndjekim në të ardhmen”, -shkruan ndër të tjera në parathënie të librit Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai vlerëson se Prof. Dr. Astrit Memia ka ndërmarrë një përpjekje të gjerë studimore për të trajtuar çështje që prekin drejtpërdrejt identitetin shqiptar, zhvillimin historik të kombit, gjuhën shqipe si shtyllë themelore të ekzistencës sonë kombëtare, si dhe raportin ndërmjet trashëgimisë historike dhe proceseve moderne të zhvillimit.

Nëpërmjet një qasjeje që ndërthur historinë, gjuhësinë, kulturën dhe reflektimin shoqëror, autori synon të ofrojë një pasqyrë të gjerë mbi sfidat dhe mundësitë që kanë shoqëruar shqiptarët në periudha të ndryshme të ekzistencës së tyre.

Prorektori për shkencë i Universitetit të i Tetovës V.Ameti evidenton si një nga mesazhet më të rëndësishme që përcjell kjo vepër mosshikimin e historisë si një realitet i mbyllur në të kaluarën. Përkundrazi, ajo është një proces i vazhdueshëm që ndikon në mënyrën se si mendojmë, si organizohemi dhe si projektojmë të ardhmen tonë”.

Në parathënien e librit evidentohen gjithashtu përpjekjet e autorit që përmes analizave dhe interpretimeve të ndryshme të tregojë se përvoja historike e shqiptarëve përmban mësime të vlefshme për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më demokratike dhe më të zhvilluar.

Prof. Astrit Memia, themelues dhe drejtues i Fondacionit Forumi Imazh & Media, një platformë që prej vitesh promovon vlerat dhe figurat përfaqësuese të kombit shqiptar, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, me këtë vepër tejet të rëndësishme studimoore-shkencore vendos në qendër të vëmendjes gjuhën shqipe, e cila për shekuj me radhë ka qenë elementi më i fuqishëm i ruajtjes së identitetit kombëtar.

Referuar vlerave të kësaj vepre, prof. V.Ameti, kontributor madhor për zhvillimin dhe progresimin e arsimit shqip të Repulikën e Maqedonisë së veriut, e vlerëson veprën e fundit të Z.A.Memia nisur nga fakti se ajo trajton gjithashtu çështje që lidhen me rolin e arsimit, kulturës dhe institucioneve në formësimin e vetëdijes kombëtare. Kjo, sepse “Historia e shqiptarëve ka dëshmuar se arsimi ka qenë një nga mjetet më të rëndësishme për ruajtjen e identitetit dhe për avancimin e shoqërisë. Nga shkollat e para shqipe deri te institucionet moderne universitare, arsimi ka qenë dhe mbetet një forcë transformuese që lidh të kaluarën me të ardhmen. Për këtë arsye, çdo studim që kontribuon në njohjen dhe kuptimin e kësaj trashëgimie ka vlerë të veçantë jo vetëm për akademinë, por edhe për shoqërinë në tërësi”.

Duke argumentuar se historia e kombit shqiptar nuk mund të kuptohet pa historinë e gjuhës shqipe, ashtu siç nuk mund të imagjinohet e ardhmja e tij pa zhvillimin dhe pasurimin e vazhdueshëm të saj, Prof.Ameti vlerëson përfshirjen në këtë libër të Prof.dr.Astrit Memia të  reflektimeve dhe analizave të thelluara mbi proceset e standardizimit, mbi zhvillimin historik të gjuhës dhe mbi nevojën që ajo të mbetet një instrument i gjallë komunikimi, kulture dhe zhvillimi shkencor.

“Një dimension i rëndësishëm i këtij libri është theksimi i rolit të paqes dhe stabilitetit si kushte themelore për zhvillimin kombëtar. Historia e Ballkanit dhe e shqiptarëve ka qenë shpesh e shoqëruar me sfida, konflikte dhe procese të ndërlikuara politike e shoqërore. Megjithatë, përvoja historike ka dëshmuar se progresi i vërtetë arrihet vetëm nëpërmjet dialogut, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë. Pikërisht për këtë arsye, autori e sheh të ardhmen e shqiptarëve të lidhur ngushtë me vlerat e paqes, stabilitetit, integrimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, shkruan Prof.dr. Vullnet Ameti në parathënin e librit “Shqiptarët – nga e kaluara, në të tashmen dhe drejt së ardhmes mes paqes dhe stabilitetit”, me autor. Prof.dr. Astrit Memia.

Më tej autori I kësaj parathënie nënvizon faktin se “Në epokën e sotme, kur kufijtë fizikë po humbin rëndësinë e tyre tradicionale dhe kur komunikimi global po krijon realitete të reja kulturore dhe shoqërore, sfida kryesore nuk është ruajtja e identitetit përmes izolimit, por forcimi i tij përmes dijes, kulturës dhe pjesëmarrjes aktive në proceset globale. Kjo sipas prof.Ametitit është një ide që përshkon të gjithë veprën e Prof. Dr. Memisë. Ai argumenton se shqiptarët mund të jenë njëkohësisht të integruar në botën moderne dhe krenarë për historinë, gjuhën dhe kulturën e tyre.

Nisur nga perspektiva akademike, prof. Ameti konkludon se ky libër paraqet një përpjekje për të sjellë në një kornizë të vetme një gamë të gjerë çështjesh historike, gjuhësore dhe kulturore. Sepse, edhe kur temat e trajtuara mund të nxisin debate dhe interpretime të ndryshme, vlera e veprës qëndron pikërisht në aftësinë e saj për të hapur diskutime, për të nxitur reflektim dhe për të inkurajuar kërkime të mëtejshme shkencore. Kjo është një nga karakteristikat themelore të çdo vepre që synon të kontribuojë në zhvillimin e mendimit akademik dhe intelektual.

Si studiues dhe si drejtues universitar, prof. Ameti ka qenë gjithmonë i bindur se kombet zhvillohen kur investojnë në dijen, shkencën dhe kulturën e tyre. Librat që trajtojnë çështje të identitetit, historisë dhe perspektivës kombëtare luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces, sepse ato ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe në formësimin e vizioneve të reja për të ardhmen. Në këtë kuptim, vepra që lexuesi tashmë ka në në duar është një kontribut që meriton vëmendje dhe vlerësim.

Parë në një këndvështrim të përgjithshëm, prof. Vullnet Ameti shpreh binjen ky botim do të zgjojë interesin e studiuesve të historisë, albanologjisë, gjuhësisë, shkencave shoqërore dhe kulturore, por edhe të çdo lexuesi që dëshiron të kuptojë më mirë rrugëtimin e shqiptarëve nga lashtësia deri në sfidat e shekullit XXI. Ai ofron një mundësi për të reflektuar mbi të kaluarën tonë, për të kuptuar më mirë të tashmen dhe për të projektuar me më shumë përgjegjësi të ardhmen.