Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka konstatuar shkelje gjatë monitorimit të një procedure prokurimi të zhvilluar nga Qendra Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi”, duke evidentuar mangësi në verifikimin e cilësisë së mallrave dhe dokumentacionit të paraqitur nga operatori ekonomik fitues.
Sipas vendimit nr. 34, datë 15 korrik 2026, monitorimi është kryer pas një reklamimi të paraqitur nga një palë e tretë dhe ka përfshirë një kontratë të tipit “Mall”.
Nga hetimi administrativ, APP ka konstatuar se autoriteti kontraktor nuk ka provuar nëse janë kryer verifikimet e nevojshme për kërkesat e cilësisë, të cilat do të garantonin që malli i dorëzuar ishte në përputhje me specifikimet teknike të parashikuara në kontratë dhe në dokumentet e tenderit. Gjithashtu, nuk është dokumentuar se është verifikuar deklarata e operatorit ekonomik lidhur me prodhuesin e mallit, pavarësisht se kjo ishte një nga bazat mbi të cilat ai ishte shpallur fitues i procedurës së prokurimit, në përputhje me nenin 124/1 të ligjit nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar.
Në përfundim të monitorimit, APP ka vendosur të propozojë marrjen e masave disiplinore ndaj pesë personave përgjegjës, duke argumentuar se gjatë procedurës janë konstatuar shkelje dhe mangësi në administrimin e kontratës.
Vendimi përbën një tjetër rast ku Agjencia e Prokurimit Publik evidenton rëndësinë e kontrollit të plotë të dokumentacionit dhe të verifikimit të cilësisë së mallrave të furnizuara në kontratat publike, veçanërisht kur bëhet fjalë për institucione të sektorit shëndetësor, ku përmbushja e specifikimeve teknike lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve. /ekofin.al







