Ballina Europë Tronditje në Bolonjë! 43-vjeçari humbi jetën gjatë arrestimit nga policia, nisin hetimet

Tronditje në Bolonjë! 43-vjeçari humbi jetën gjatë arrestimit nga policia, nisin hetimet

115
0

Komuniteti i Bolonjës, në Itali, është tronditur pas vdekjes së një burri 43-vjeçar gjatë një operacioni arrestimi nga forcat e policisë të dielën, më 19 korrik. Ngjarja është bërë publike pas shpërndarjes së një videoje të regjistruar nga një dëshmitar okular, ku shihet momenti kur burri ndodhet i shtrirë me fytyrë përtokë, ndërsa dy efektivë policie përpiqen ta mbajnë nën kontroll dhe t’i vendosin prangat. Në pamje duket gjithashtu një person i tretë që përpiqet ta mbajë nga këmbët.

Viktima, Abderrahim Fakir, 43 vjeç, dëgjohet në video duke bërtitur nga dhimbja dhe duke kërkuar ndihmë: “Më ndihmoni, mjaft!”. Pas pak çastesh ai nuk reagon më, ndërsa policia i lidh edhe këmbët. Në vendngjarje mbërritën edhe ekipet e shpëtimit, por sipas dëshmitarëve, nuk u kryen menjëherë ndërhyrje për reanimim. Më pas u raportua se 43-vjeçari kishte humbur jetën nga një atak kardiak, por disa dëshmitarë pretendojnë se ai mund të jetë mbytur gjatë ndërhyrjes policore.

Fakir, me origjinë nga Maroku, jetonte prej vitesh në Itali, kishte leje qëndrimi dhe drejtonte një biznes në zonë. Sipas mediave italiane, policia ishte thirrur nga banorët pasi ai kishte shfaqur sjellje të pakontrollueshme. Gjatë ndërhyrjes, ndaj tij raportohet se është përdorur edhe sprej me piper për ta neutralizuar. Pas incidentit, në zonë u zhvilluan protesta kundër dhunës policore. Motra e viktimës kërkoi drejtësi dhe deklaroi: “Ne nuk e dimë çfarë ndodhi. Ata, policia, e dinë. Morëm telefonatën se ai kishte vdekur. I vunë prangat dhe ai vdiq. E sulmuan, e vranë dhe e rrahën. Ka dëshmitarë.”

Policia e Bolonjës ka bërë të ditur se pamjet nga kamerat trupore të efektivëve do t’i vihen menjëherë në dispozicion prokurorit Domenico Ambrosino, i cili po drejton hetimin. Ndërkohë, Autoriteti Shëndetësor Lokal i Bolonjës ka nisur një hetim të brendshëm për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Kryebashkiaku i Bolonjës, Matteo Lepore, dhe presidentja e rajonit Emilia-Romagna, Michele De Pascale, kanë kërkuar një “sqarim të plotë të asaj që ndodhi”, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë.