Ballina Sport Botërori bën “lëmsh” edhe “topin e artë”

Botërori bën “lëmsh” edhe “topin e artë”

66
0

Rezultati i finales së Kupës së Botës me triumfin e  Spanjës ka ndryshuar rrënjësisht kartat në garën për “Topin e Artë”. Të gjitha pritshmëritë u rrëzuan, ndërsa kjo e radhës pritet të jetë një nga garat më të paparashikueshme, me shumë pretendentë në lojë dhe pa asnjë favorit kryesor. Ndonëse shumëkush shpresonte se finalja do ta zgjidhte çështjen, nuk ndodhi kështu: si Messi ashtu edhe Yamal nuk arritën të shkëlqenin.

“Pleshti” pësoi një goditje të rëndë në momentin vendimtar, ndërsa lojtari 19-vjeçar i Barcelonës e ngriti lart trofeun e Kupës së Botës pa luajtur realisht një rol kryesor. Kjo rikthen në garë emra të tjerë të mëdhenj që lanë gjurmë sezonin e kaluar, nga Kane te Mbappé, Haaland dhe Rodri e madje edhe Cubarsí, tashmë një shtyllë kryesore si për Barcelonën ashtu edhe për kombëtaren spanjolle.

Pasiguria e vërtetë qëndron te kriteret që do të zgjidhen për dhënien e trofeut të lakmuar, pasi të gjithë kandidatët fituan diçka gjatë sezonit. Haaland mund të ketë siguruar “vetëm” Kupën e Ligës Angleze, por ai bëri një paraqitje të shkëlqyer në Kupën e Botës me Norvegjinë dhe, mbi të gjitha, shënoi plot 38 gola për Manchester City.

Kuotat e e Rodrit janë rritur gjithashtu me shpejtësi. Ai u rikthye në formë të shkëlqyer pas dëmtimit dhe u shpall lojtari më i mirë në Kupën e Botës. Nuk duhet anashkaluar as Kane; pas një sezoni të jashtëzakonshëm te Bayern Munich, me 61 gola ndërsa me Anglinë u rendit në vendin e tretë të Kupës së Botës.

E vetmja gjë e sigurt është se, në një vit Kampionati Botëror, paraqitjet dhe golat në këtë turne mund të jenë vendimtarë. Dhe në këtë aspekt, Mbappé nuk zhgënjeu. Pas një sezoni me ecuri të luhatshme te Reali, ish-lojtari i Monakos shkëlqeu duke shënuar dhjetë gola dhe duke marrë vendin e parë në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave, duke kaluar kështu Messin, i cili mbetet ende një pretendent serioz për “Topin e Artë”.

Megjithatë, njëkohësisht, francezi 27-vjeçar dështoi në gjysmëfinalen vendimtare kundër Spanjës dhe e mbylli sezonin pa asnjë trofe. E thënë shkurt, ka disa candidate për “Topin e Artë”, secili me argumente të forta në një garë që premton të jetë tejet e ngushtë deri në momentet e fundit.