Ballina Kuriozitete Cila është arma më e vjetër në botë?

Cila është arma më e vjetër në botë?

121
0

Kur dëgjojmë fjalën “armë”, zakonisht mendojmë për armë zjarri, thika ose raketa moderne. Megjithatë, provat arkeologjike tregojnë se njerëzit kanë përdorur armë prej qindra mijëra vitesh, edhe pse ato ishin shumë më të thjeshta se ato të sotmet.

Sipas antropologut Ben Fitzhugh nga Universiteti i Uashingtonit, armë konsiderohet çdo objekt i përdorur për të ushtruar dhunë ndaj qenieve të gjalla, qoftë në konflikte mes njerëzve të hershëm, qoftë për gjueti. Megjithatë, arkeologët nuk e quajnë armë çdo objekt të mprehtë. Ata analizojnë vendin ku është gjetur, shenjat e përdorimit, materialin nga i cili është bërë dhe mbetjet që mund të tregojnë funksionin e tij.

Sipas studiuesit Rolf Warming, tri zbulime konsiderohen kandidatët kryesorë për armët më të vjetra të njohura: heshta e Klaktonit, heshtat dhe shkopinjtë e Shëningenit, si dhe majat e heshtave të Kathu Pan 1.

Heshta e Klaktonit

Heshta e Klaktonit vlerësohet të jetë më shumë se 400,000 vjet e vjetër. Ajo u zbulua në vitin 1911 në Klakton-on-Si, në Angli, dhe sot ruhet në Muzeun e Historisë Natyrore në Londër, ku konsiderohet fragmenti më i vjetër i ruajtur i një heshte prej druri në botë.

Fragmenti i gjetur është rreth 37 centimetra i gjatë dhe mendohet se dikur ishte pjesë e një heshte më të madhe prej druri të bërshenit. Njëri skaj ishte punuar me kujdes për të krijuar një majë të mprehtë, ndërsa pjesa tjetër nuk është gjetur.

Arkeologët besojnë se kjo armë është prodhuar nga homoheidelbergensis ose nga neandertalët, pra para shfaqjes së njeriut modern. Forma, përmasat dhe materiali tregojnë se ajo përdorej për goditje nga afër dhe se gjuetia kryhej në mënyrë të organizuar dhe bashkëpunuese.

Heshtat e Shëningenit

Që nga viti 1992, në Shëningen të Gjermanisë janë zbuluar mbi 20 armë prej druri, përfshirë heshta të plota dhe shkopinj për hedhje. Ato janë ruajtur pothuajse të paprekura dhe datojnë mes 200,000 dhe 300,000 vjetësh më parë.

Fillimisht mendohej se ishin bërë nga homoheidelbergensis, por studime më të fundit sugjerojnë se mund të jenë krijuar edhe nga neandertalët.

Heshtat janë rreth dy metra të gjata dhe ka të ngjarë të jenë përdorur si për goditje, ashtu edhe për t’u hedhur gjatë gjuetisë së kafshëve të mëdha, si kuajt. Shkopinjtë më të shkurtër, rreth 65 centimetra të gjatë, mendohet se shërbenin si armë hedhëse.

Studiuesit kanë zbuluar se majat e tyre ishin mprehur dhe forcuar me zjarr. Pranë tyre u gjetën edhe eshtra kuajsh të therur, gjë që tregon se përdoreshin për gjueti. Sipas ekspertëve, këto armë dëshmojnë se njerëzit e hershëm kishin njohuri të mira për materialet dhe përdornin strategji të ndryshme gjuetie.

Majat e heshtave të Kathu Pan 1

Një tjetër zbulim i rëndësishëm vjen nga vendi arkeologjik Kathu Pan në Afrikën e Jugut. Aty janë gjetur maja guri heshtash që datojnë rreth 500,000 vjet më parë.

Ato kanë shenja konsumimi dhe formë që sugjerojnë se ishin të lidhura me një bisht druri, duke krijuar heshta të plota. Nëse kjo është e saktë, ato do të ishin armët më të vjetra të njohura deri më sot dhe ndoshta janë prodhuar nga homoheidelbergensis.

Megjithatë, disa studiues mbeten skeptikë, pasi nuk janë gjetur bishtat prej druri që do ta provonin pa dyshim se këto maja ishin pjesë e armëve dhe jo thjesht vegla guri.

A mund të ketë armë edhe më të vjetra?

Shkencëtarët besojnë se është shumë e mundur. Njerëzit e hershëm përdornin materiale organike si druri, fijet bimore, tendinat e kafshëve dhe ngjitës natyrorë, të cilët shpërbëhen me kalimin e kohës. Për këtë arsye, shumë armë të lashta mund të jenë zhdukur pa lënë gjurmë.

Studimi i këtyre armëve nuk na tregon vetëm si gjuanin paraardhësit tanë, por edhe se ata ishin të aftë të planifikonin, të ndanin njohuritë dhe të bashkëpunonin në grup.

Megjithëse zbulime të reja mund ta ndryshojnë këtë renditje në të ardhmen, sipas studiuesit RolfWarming, heshta e Klaktonit mbetet kandidati më i sigurt për armën më të vjetër të njohur në botë.