Ballina Sport Pas 17 vitesh, ylli argjentinas i jep fund karrierës me kombëtaren

Pas 17 vitesh, ylli argjentinas i jep fund karrierës me kombëtaren

40
0

Mbrojtësi i Argjentinës, Nicolas Otamendi, ka njoftuar tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar, duke mbyllur një karrierë 17-vjeçare me fanellën e “Albiceleste”, gjatë së cilës fitoi Kupën e Botës 2022 dhe dy trofe të Copa America.

Qendërmbrojtësi 38-vjeçar zhvilloi 139 paraqitje për Argjentinën dhe ishte pjesë e skuadrës që arriti në finalen e Kupës së Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara, ku kampionët në fuqi u mposhtën 1:0 nga Spanja.

“Sot duhet të shkruaj fjalët më të vështira të karrierës sime. Siç e deshi fati, ndeshja ime e fundit ishte një finale e Kupës së Botës. Nuk ishte rezultati që donim, por po largohem me kokën lart, duke e ditur se kjo skuadër dha gjithçka deri në sekondën e fundit”, shkroi Otamendi në një postim në Instagram.

Ai falënderoi Argjentinën për mundësinë që i dha për të realizuar ëndrrën më të madhe në karrierë.

“Faleminderit, Argjentinë, që më lejove të përmbush ëndrrën për t’u bërë kampion bote”, shtoi ai.

Otamendi së fundmi u transferua te River Plate, duke i dhënë fund një karriere 16-vjeçare në futbollin evropian, ku veshi fanellat e Portos, Valencias, Manchester Cityt dhe Benficas.

Gjatë karrierës me kombëtaren, ai përfaqësoi Argjentinën në katër edicione të Kupës së Botës, duke u shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të brezit që riktheu vendin në majën e futbollit botëror.