Vathët me disqe të lashta ari, të lidhura me Iranin e sotëm, e kthyen paraqitjen e aktores në temë debati për modën, antikitetet dhe trashëgiminë kulturore. Zendaya tërhoqi sërish vëmendjen gjatë promovimit të filmit The Odyssey të Christopher Nolanit në Londër, por këtë herë jo vetëm për veshjen e saj.
Aktorja u shfaq me një fustan të bardhë të Jacquemus, të frymëzuar nga bota antike dhe nga perëndesha Athina, të cilën ajo e interpreton në film. Megjithatë, vëmendjen kryesore e morën vathët e artë që mbante.
Vathë me artefakte mijëravjeçare
Sipas mediave ndërkombëtare, në vathë ishin integruar disqe autentike ari që lidhen me thesarin e Ziwiyeh në Iran dhe datojnë rreth shekullit VII para erës sonë. Artefaktet ishin përfshirë në një dizajn modern prej ari 18-karatësh dhe diamantesh, të krijuar nga argjendari Glenn Spiro. Edhe pse paraqitja e Zendayas ishte e frymëzuar nga Greqia e lashtë, vetë objektet historike janë me origjinë iraniane.







