Arsenali raportohet se është i interesuar për të siguruar transferimin e Vinicius Juniorit, por trajneri i ri i Real Madridit, Jose Mourinho, nuk ka ndërmend ta lejojë një gjë të tillë.
Tekniku portugez ka nisur tashmë punën te Real Madridi, duke drejtuar përgatitjet parasezonale dhe duke përforcuar skuadrën me afrime të reja në merkato.
Detyra e Mourinhos këtë sezon është e qartë: të ndalojë Barcelonën nga fitimi i titullit të tretë radhazi në La Liga, duke rikthyer Real Madridin në fron për herë të 37-të, si dhe të jetë konkurrues në fazat finale të Ligës së Kampionëve.
Për ta arritur këtë objektiv, trajneri portugez dëshiron të ketë në dispozicion skuadrën më të fortë të mundshme, ku një nga lojtarët kyç mbetet edhe braziliani Vinicius Junior.
Sipas “The Telegraph”, burime pranë klubit kanë bërë të ditur se Mourinho ua ka bërë të qartë drejtuesve të Real Madridit se dëshiron t’i mbajë të gjithë lojtarët kryesorë dhe që ata të mos jenë pjesë e diskutimeve për shitje.
Trajneri, fitues i dy Ligave të Kampionëve, është i vendosur që Vinicius Junior, Kylian Mbappe dhe Jude Bellingham të jenë pjesë e skuadrës së tij.
Ky zhvillim mund t’i ketë dhënë fund shpresave të Arsenalit për të arritur një marrëveshje me Real Madridin, pasi nëse klubi spanjoll dhe Mourinho nuk janë të gatshëm ta shesin lojtarin, atëherë një transferim në Londrën Veriore duket shumë i pamundur.
Interesimi i Arsenalit për Viniciusin u ka dhënë tifozëve besim se klubi po i përgjigjet kërkesës së Mikel Artetës për një merkato ambicioze, me synimin për të mbrojtur titullin në Premierligë dhe për të bërë një hap më tej në Ligën e Kampionëve, pas humbjes në finalen e sezonit të kaluar ndaj PSG-së.
Deri tani, “Topçinjtë” kanë transferuar Christos Tzolis nga Club Brugge për 34 milionë funte, ndërsa kanë afruar edhe Illan Meslier si lojtar i lirë, pasi kontrata e tij me Leeds United skadoi në fund të sezonit të kaluar.
Arsenali ka shfaqur interes edhe për Bruno Guimaraes, por ende nuk ka arritur marrëveshje me Newcastle United, i cili e vlerëson mesfushorin brazilian me 100 milionë funte. Nga ana tjetër, londinezët nuk duken të gatshëm ta paguajnë këtë shumë.
Ndërkohë, Real Madridi ka qenë shumë aktiv në këtë afat kalimtar, me Mourinhon që po ndërton një skuadër të aftë për të luftuar për të gjithë trofetë.
Klubi madrilen ka transferuar Marc Cucurellan, Ibrahima Konaten dhe Bernardo Silvan nga klubet e Premierligës, ndërsa Denzel Dumfries është afruar nga Interi.
Në anën tjetër, disa emra të rëndësishëm janë larguar nga “Bernabeu”.
Dani Carvajal dhe David Alaba kanë mbyllur aventurën e tyre me Real Madridin, Dani Ceballos ka ndërprerë kontratën me marrëveshje të dyanshme, ndërsa Fran Garcia është transferuar te Real Betis.







