Shkas për reagimin e Braçes është bërë Mali i Zi, i cili u njeh grave dy ditë pushim gjatë ciklit menstrual. Deputeti socialist thotë se Shqipëria ka humbur dy vite pa e diskutuar seriozisht këtë nismë, edhe pse, sipas tij, brenda shumicës i është pranuar se bëhet fjalë për një propozim të drejtë.
“Unë kam dy vjet që lutem për një ditë, për të njohur dhe trajtuar një gjendje shëndetësore reale dhe periodike e të individualizuar te vajzat dhe gratë që vuajnë nga semundje te ndryshme gjinekologjike qe ne periudhen e ciklit shkaktojne dhimbje te medha akute. Patjetër që duhet kohë, por kanë kaluar 2 vjet për t’u menduar. Duhet dhe më shumë? Spanja e bëri! Mali i Zi e bëri! Po ne? Kemi humbur 2 vjet kur mund ta kishim diskutuar, kur të gjithë më kanë thënë qartë që ‘është e drejtë por nuk marrim dot vendim tani.’ Kur do të marrim vendim? Në shtator do ta keni të shkruar në Kuvend. Do ta keni mbi tavolinat tuaja dhe pastaj mund ta diskutoni edhe 2 vjet të tjera. Secili prej nesh, secili prej jush ka gra dhe vajza që vuajnë”, thotë Braçe në videon e tij të postuar në rrjete sociale.
Braçe sulmoi edhe kundërshtarët e propozimit të tij, duke thënë se debati është zhvendosur te kostoja për bizneset dhe jo te problemi shëndetësor i grave.
Në Europë, Spanja u bë në vitin 2023 vendi i parë që miratoi leje menstruale të paguar për gratë që vuajnë nga menstruacione të dhimbshme. Së fundmi, edhe Mali i Zi ka vendosur t’u njohë grave dy ditë pushim gjatë ciklit menstrual, rast që Braçe e ka marrë si shembull për të kërkuar rihapjen e debatit edhe në Shqipëri.







