Ballina Politika “Kjo nuk asht nji punë që kalon lehtë”, Marjana Koçeku paralajmëron kryengritjen...

“Kjo nuk asht nji punë që kalon lehtë”, Marjana Koçeku paralajmëron kryengritjen e Shkodrës: Nesër nisin protestat për konsullatën serbe

62
0

Deputetja Marjana Koçeku paralajmëron se nesër në kryeqendrën e veriut do të nisin protesta kundër bisedimeve për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër. Ky lajm u raportua në media pas një deklarate të ministrit serb dhe vetëm më pas, Ministria jonë e Jashtme u detyrua të reagojë.

“Deri më sot për këtë çështje ka vetëm sqarime të turbullta nga institucionet shqiptare, pra përpjekje me mos me sqaru hiç”, shkruan ajo.

Marjana Koçeku i lidh bisedimet për konsullatën serbe në Shkodër me zbulimin e një varreze masive në në Zubin Potok, ditët e fundit, ku ka nisur kërkimi për gjetjen e trupave të viktimave të luftës së Kosovës.

“Para dy ditësh filluen gërmimet në Zubin Potok për gjetjen e trupave të viktimave të luftës së Kosovës. Dyshohet për nji varrezë masive me 23 intelektualë të vramë nga forcat serbe, ndërsa deri më tash janë gjetë trupat e 6 prej tyne.

Dje, gjatë bastisjeve, u gjet edhe armatim, si dhe u arrestue nji person që kishte qenë anëtar i Armatës Jugosllave. Ndërkohë që po ndodhin të gjitha këto, shteti shqiptar flet për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër. Po çfarë konsullate more?!”, shkruan ajo.

Deputetja tashmë e pavarur, thekson se në Tiranë flitet për parime diplomacie, marrëdhënie bilaterale, përfitime ekonomike, por harrojnë më të rëndësishmen, realitetin e një populli të masakruar.

“Të dielën pritet të nisin protestat në Shkodër kundër hapjes së konsullatës serbe. Kjo nuk asht nji punë që kalon lehtë. Ndërkohë që shteti shqiptar flet për konsullatë e fqinjësi të mirë me Serbinë, në Kosovë vazhdojnë të gjenden varre masive trupash të vramë edhe tash mbas 25 e kusur vitesh”, përmbyllet reagimi.