Ballina Europë Tragjedi në Itali/ 5 të vdekur dhe 27 të plagosur nga përplasja...

Tragjedi në Itali/ 5 të vdekur dhe 27 të plagosur nga përplasja e një autobusi me një kamper dhe tre autovetura

52
0

Pesë persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë janë plagosur në një aksident të rëndë rrugor që ndodhi në superstradën Terni-Rieti, në zonën e Colli sul Velino, pranë kufirit mes rajoneve Lazio dhe Umbria në Itali.

Sipas autoriteteve italiane, në aksident janë përfshirë një autobus, një kamper dhe tre automjete. Nga 27 të plagosurit, tre ndodhen në gjendje të rëndë dhe janë transportuar me helikopter drejt spitaleve, ndërsa 24 të tjerë kanë marrë lëndime më të lehta.

Nga rindërtimi paraprak i ngjarjes, mësohet se autobusi, ku udhëtonin rreth 20 persona, është përplasur me një kamper që po lëvizte në drejtim të kundërt, duke e shkatërruar plotësisht. Në aksident janë përfshirë edhe tre automjete të tjera, njëra prej të cilave është përmbysur.

Dyshohet se të paktën një nga makinat nuk ka arritur të shmangë përplasjen me autobusin dhe kamperin, ndërsa viktimat besohet se kanë qenë pasagjerë të kamperit dhe të automjeteve.

Aksidenti ndodhi pranë daljes së tunelit të Greccio-s, në segmentin mes kryqëzimit të Colli sul Velino dhe daljes për Piediluco.

Pas ngjarjes, rruga kombëtare SS79 Ternana u mbyll në të dy drejtimet, duke shkaktuar trafik të rënduar. Në vendngjarje ndërhynë ekipet e emergjencës, forcat e policisë, shërbimet shëndetësore, si dhe gjashtë ekipe të zjarrfikësve nga provincat e Rietit dhe Ternit.