Ballina Kuriozitete ​Profesori më i ri në botë thyen rekord 306-vjeçar

​Profesori më i ri në botë thyen rekord 306-vjeçar

51
0

Nathan Thomas, një gjeni nga Florida, ka thyer një rekord 306-vjeçar duke u bërë profesori më i ri në botë.

Thomas u bë mbajtës i Rekordit Guinness pasi, në moshën 18 vjeç e 346 ditë, filloi të jepte mësim inxhinierinë në Miami Dade College në gusht të vitit 2023. Me këtë, ai theu rekordin e Colin Maclaurin, i cili ishte bërë profesor i matematikës në Universitetin e Aberdeenit në Skoci, në moshën 19-vjeçare, në vitin 1717, shkruan Nypost.

Tani 21 vjeç, Thomas theu gjithashtu rekordin e profesoreshës më të re në histori, Alia Sabur, duke u bërë profesori më i ri në botë, pavarësisht gjinisë. Sabur e kishte fituar këtë rekord në vitin 2008, kur ishte 18 vjeç e 362 ditë.

Thomas, i apasionuar pas shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, e nisi rrugëtimin akademik në moshë shumë të re. Ai u diplomua nga Miami Dade College në moshën 14-vjeçare me një diplomë të asociuar në matematikë. Më pas, përfundoi studimet bachelor dhe master në inxhinieri elektrike në Florida International University.

Sipas New York Times, sot Thomas jep mësim online, ndërsa ndjek studimet në Shkollën Juridike të Universitetit të Miamit, nga ku pritet të diplomohet në vitin 2028.

“Kur je në atë mjedis, të gjithë janë aty për të njëjtën arsye, për të mësuar. Mosha nuk ka shumë rëndësi”, tha Thomas për Guinness, duke shtuar se pjesa që i pëlqen më shumë nga mësimdhënia është të shohë momentin kur studentët arrijnë të kuptojnë një koncept që më parë u dukej i pamundur.