Ballina Politika “Afera e AKSHI-t, provë për drejtësinë”/ Balliu denoncon skemën e ‘Al Soft’:...

“Afera e AKSHI-t, provë për drejtësinë”/ Balliu denoncon skemën e ‘Al Soft’: A u investuan paratë publike në Francë, Belgjikë e Qipro? Të hetohen pasuritë jashtë vendit!

50
0

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, përmes një deklarate për mediat ka ngritur akuza të forta lidhur me atë që ai e cilëson si “aferën e AKSHI-t”, duke e konsideruar atë jo thjesht si një rast korrupsioni administrativ, por si një provë serioze për aftësinë e drejtësisë shqiptare për të hetuar tjetërsimin e fondeve publike dhe transferimin e tyre jashtë vendit.

Balliu është ndalur veçanërisht te aktivitetet e shtetasit Ermal Beqiri dhe kompanisë “Al Soft”, duke nxjerrë në pah të dhëna që sipas tij kërkojnë hetim të menjëhershëm dhe të gjithanshëm nga organet ligjzbatuese:

“Në Shqipëri, Al Soft është founded në vitin 2010, dhe po në të njëjtin vit ka hyrë në procedurë likuidimi. Megjithatë, rezulton se në qytetin e Nîmes, në Francë, është regjistruar një subjekt me të njëjtin emër, AL Soft, me objekt veprimtarie në hoteleri, akomodim dhe teknologji informacioni, ku promovohet edhe aktiviteti i Al Soft në Shqipëri si një histori suksesi. Po ashtu, rezulton se subjekte me të njëjtin emër janë regjistruar edhe në Belgjikë dhe në Qipro,” u shpreh deputeti demokrat.

Përfaqësuesi i PD-së nëvizoi se këto elemente ngrenë pikëpyetje thelbësore që nuk mund të kalojnë në heshtje. Ai i bëri thirrje Strukturës Osoçme Antikorrupsion (SPAK) që të mos kufizohet vetëm në hetimin e procedurave administrative apo të kontratave publike, por të ndjekë paratë dhe pasuritë e krijuara brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë.

Balliu ngriti disa pyetje direkte për organet e drejtësisë, duke kërkuar të dihet se a është verifikuar burimi i kapitalit me të cilin janë financuar këto aktivitete në Francë, Belgjikë e Qipro, a janë analizuar flukset financiare dhe pronësia përfituese në lidhje me fondet e AKSHI-t, si dhe nëse është kryer një hetim pasuror i plotë. Ai theksoi se nëse ekzistojnë dyshime të arsyeshme, SPAK ka detyrimin ligjor të bashkëpunojë me autoritetet franceze, belge dhe qipriote për të kryer verifikimet përkatëse.