Ballina Kronika Mbi 300 hektarë në Parkun Kombëtar të Lurës u dogjën, procedohen penalisht...

Mbi 300 hektarë në Parkun Kombëtar të Lurës u dogjën, procedohen penalisht shefi i monitorimit dhe dy roje mjedisi

89
0

Janë proceduar penalisht për shkak të shpërdorimit të detyrave tre punonjës në Dibër, në lidhje me zjarrin i cili përfshiu Parkun Kombëtar të Lurës.

Sipas njoftimit të dhënë mga policia, bëhet fjalë për shefin e monitorimit të  parkut dhe dy roje mjedisi, të cilët dyshohet se shpërdoruan detyrën duke mos marrë masat e nevojshme për mbikqyrjen dhe mbrojtjen e territorit nga zjarri. Duke sjellë kështu djegien e mbi 300 hektarëve sipërfaqe pyjore.

Ndërkohë kujtojmë se prej  katër ditësh vatra e zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës vijon të jetë aktive, ndërsa flakët po përfshijnë sipërfaqe të mëdha me pyje dhe kullota. Sipas burimeve për mediat, në orët e fundit zjarri është përhapur në drejtim të fshatit Borie, duke rrezikuar edhe banesat e zonës.

Njoftimi i policisë:

“Lurë, Dibër/Vijojnë hetimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e ngarkuar me përgjegjësi në lidhje me zjarrin në parkun kombëtar të Lurës. Procedohen penalisht, për shpërdorim të detyrave, shefi i monitorimit të parkut dhe 2 roje mjedisi.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për dokumentimin e rrethanave të zjarrit në parkun kombëtar të Lurës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit K. S., 35 vjeç, S. L., 51 vjeç, të dy banues në Dibër, dhe A. L., 64 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, me detyra përkatëse Shef monitorimi i parkut kombëtar dhe Roje mjedisi, nuk kanë marrë masat e nevojshme për ruajtjen, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen nga zjarri të territorit në përgjegjësinë e tyre. Si pasojë, janë djegur disa hektarë sipërfaqe pyjore.

Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit/ëve të këtij rasti. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme”