Ballina Ekonomia Prona bëhet më e lirë për t’u deklaruar, shqiptarët kursejnë 120.5 milionë...

Prona bëhet më e lirë për t’u deklaruar, shqiptarët kursejnë 120.5 milionë euro nga rivlerësimi

42
0

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme po rezulton një lehtësi fiskale me vlerë për pronarët shqiptarë, ku vetëm gjatë periudhës janar–korrik 2026, qytetarët dhe subjektet kanë kursyer 120.5 milionë euro në kosto fiskale përmes këtij procesi.

Shifra lidhet me skemën e rivlerësimit të vitit 2026, e cila u mundëson pronarëve të përditësojnë vlerën e deklaruar të pasurisë duke paguar një tatim prej 5%.

Në një situatë normale, tatimi mbi fitimin nga kalimi i pronës është 15%, duke e bërë skemën aktuale financiarisht më të favorshme. Por përtej kursimit të drejtpërdrejtë, objektivi mbetet formalizimi i tregut të pasurive.

Vlera e deklaruar e shumë pronave historikisht ka qenë larg çmimeve reale të tregut, duke krijuar hapësirë për nëndeklarime dhe probleme në transaksionet e shitblerjes.

Ministria e Financave e konsideron rivlerësimin një mekanizëm që mund të zgjerojë bazën tatimore dhe të përmirësojë transparencën e tregut.

Deri në prill ishin regjistruar rreth 9,500 aplikime, çka tregon interes të konsiderueshëm për skemën, ndërkohë që procesi mbetet i hapur deri më 31 dhjetor 2026.