Nga Irena Beqiraj
“Nuk ka alternativë tjetër përveç kapitalizmit” tha Margaret Thatcher , sikur të donte të provonte se në shumicën e kohës ideologjia funksionon më mirë kur mbetet implicite e pa argumentuar , e pranuar në heshtje .
Kjo shprehje nuk është gjë tjetër veçse një mekanizëm ideologjik që imponon idenë se ” tregu i lirë”nuk është një zgjedhje, por një pashmangshmëri, edhe si i tillë është i vetmi sistem ekonomik i qëndrueshëm.
Ky padyshim është një nga operacionet ideologjike më të suksesshme të pesëdhjetë viteve të fundit edhe mbart rrezikun që njerzit ti mendojnë tregjet si të natyrshme dhe qeveritë si një forcë që duhet të ndërhyjë vetëm kur tregjet dështojnë. Kështu në mënyrë të pavetëdijshme njerzit pajisen me një ideologji.
“Nuk mund ta përballojmë financimin e këtij shërbimi publik ” është një tjetër operacion ideologjik që meriton vëmendje. Qeveria e thotë këtë vazhdimisht për shërbimet publike , programet sociale dhe infrastrukturën. Në këtë rast ideologjia duhet kërkuar pikërisht tek supozimi themelor se një qeveri sovrane edhe pse emeton monedhën është e kufizuar në të njëjtën mënyrë siç është një familje që i ka të ardhurat mujore të përcaktuara edhe që nuk mund të emetojë para . Pra si në një familje që strapacohet për të mbyllur fundin e muajt edhe për qeverinë supozohet se ekziston i njëjti kufizim, ku më shumë shpenzim në një të mirë publike do të thotë më pak për një tjetër.
Ky po ashtu është një pretendim ekonomik që i shërben interesave shumë specifike sepse natyralizon masat shtrënguese dhe bën që shkurtimet në shërbimet publike të duken si thonë shpesh ministrat “menaxhim i përgjegjshëm ” dhe jo si zgjedhje politike që e rishpërndan pasurinë tek klasa të caktuara.
“Puna e palodhur shpërblehet” një mekanizëm tjetër ideologjik që vepron në një nivel edhe më të thellë. Ideja se rezultatet ekonomike janë kryesisht rezultat i përpjekjeve individuale është aq thellë e ngulitur në kulturën kapitaliste saqë vënia në dyshim e saj mund të ndihet si një sulm ndaj vetë individit .
Edhe pse provat tregojnë se me konsolidimin e ekonomisë laissez-faire pasuria lidhet shumë më fort me avantazhin e trashëguar, vendndodhjen gjeografike, aksesin në arsim dhe pozicionin e prindërve, ne vazhdojmë të bësojmë se puna e palodhur shpërblehet .
Ideja se sistemi shpërblen përpjekjet, i ka shërbyer vetëm kapitalit sepse e bën pabarazinë strukturore të duket si rezultat i përgjithshëm i zgjedhjeve individuale. Nëse je i varfër, nuk ke punuar mjaftueshëm. Nëse je i pasur, e ke fituar atë. Ky kuadër e bën shumë të vështirë të kuptohet se shpërndarja e pasurisë është më së shumti produkt i marrëdhënieve të klasave dhe strukturës së pronësisë, sesa i përpjekjeve.
Thuaju shqiptarëve në Sazan do të investohen rreth “4 miliardë euro investime të huaja edhe ta dorëzojnë atë pa pyetur çfarë përfitohet mbrapsht. Sepse “Investimi i huaj” në ideologjinë që ato pa e njohur e kuptuar e kanë përvetësuar barazohet me zhvillimin ekonomik . Edhe FMN e ndryshoi qasjen për investimet e huaja në 2012 sepse ideologjia ishte e qartë ” ekonomia duhet të organizohet rreth nevojave të kapitalit dhe jo nevojave të popullsisë”.
Edhe kur flasim për “paratë e taksapaguesve” sikur ato tu përkisnin taksapaguesve individualisht dhe jo si një mekanizëm për sigurimin e shërbimeve kolektive, është po ashtu një kuadër ideologjik që i bën shpenzimet publike të ndihen si vjedhje dhe jo si organizim shoqëror.
Kush njeh ideologjinë i dallon politikanët kur flasin për “ekonominë”, nëse po flasin thjesht për rritjen e PBB-së, rritjen e numrit të bizneseve , turistëve , apo kushtet e jetesës së njerëzve të zakonshëm, sepse këto nuk janë e njëjta gjë dhe mospërputhja midis tyre është ideologjike.
Të kuptuarit e ideologjisë nuk është vetëm një ushtrim intelektual, ai ka rëndësi sepse ideologjia është një nga mekanizmat kryesorë përmes të cilit pushteti i elitës sunduese riprodhohet pa nevojën e shtrëngimit apo forcës së drejtpërdrejtë.
Gramsci e quante këtë hegjemoni, me anë të së cilës elitat udhëheq jo vetëm përmes dominimit, por edhe përmes pëlqimit të të dominuarve, një pëlqim që prodhohet përmes ideologjisë e cila përhapet më shpejt kur është e pa njohur e pakuptuar në institucione shoqëri civile, përmes arsimit, medias, dhe kulturës.







