Ballina Europë ​Moska lëshon fletarrest për gazetarin që pyeti Zelenskyn si mund të vriten...

​Moska lëshon fletarrest për gazetarin që pyeti Zelenskyn si mund të vriten më shumë ushtarë rusë

52
0

Rusia ka lëshuar urdhërarrest për gazetarin gjerman Michael Martens, për shkak të një pyetjeje që ai i bëri presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së këtij të fundit në Serbi, më 8 gusht.

Sipas agjencisë ruse TASS, gazetari i Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) akuzohet për “nxitje të urrejtjes”.

Në konferencën e përbashkët të Zelenskit me nikoqirin e tij Aleksandar Vuciq, Martens e pyeti Zelenskyn se çfarë mund të bëjnë evropianët për ta ndihmuar Ukrainën të “vrasë më shumë rusë”, duke saktësuar më pas “më shumë ushtarë rusë”.

Ambasada “moskovite” në Berlin i është drejtuar Prokurorisë në kryeqytetin gjerman, duke kërkuar vlerësim juridik të deklaratës së tij. Prokuroria ka konfirmuar pranimin e kërkesës, por ka sqaruar se ende nuk është hapur hetim ndaj gazetarit.

Shoqata Gjermane e Gazetarëve e ka kritikuar veprimin e Moskës, duke thënë se pyetjet e gazetarëve nuk duhet të jenë çështje e drejtësisë.

Edhe Ministria e Jashtme në Berlin ka dënuar rastin, duke akuzuar Rusinë për presion gjithnjë e më të madh ndaj lirisë së shtypit.

Sipas gazetës Bild, Martens nuk rrezikon ekstradimin nga Gjermania në Rusi, për shkak të urdhërarrestit nga Moska.

Megjithatë, gazeta ka ngritur mundësinë e rrezikut për ndalimin e tij gjatë qëndrimit eventual në Ballkan, veçanërisht në Serbi, por nuk ka paraqitur prova për këtë pretendim.

Martens, 53 vjeç, është korrespondent shumëvjeçar i FAZ-it dhe ka punuar në Moskë, Beograd e Athinë, ndërsa aktualisht mbulon Ballkanin nga Vjena.

Para vizitës së Zelenskyt në Beograd, ai kishte raportuar për furnizimin e Ukrainës me municion serb dhe për plane të pretenduara për një fabrikë të përbashkët dronësh.

FAZ pranoi se formulimi i pyetjes së Martensit mund të tingëllonte i dykuptimtë, por tha se ajo lidhej me debatet për mbrojtjen në Gjermani.

Gazeta theksoi se politika e saj editoriale nuk është vrasja e sa më shumë rusëve, por përfundimi i luftës dhe agresionit rus.

Vetë Martens ka pranuar se gaboi kur përdori formulimin “cfarë duhet të bëjmë ne, evropianët”, pasi si gazetar nuk duhej ta vendoste veten në atë rol. Ai tha se do të duhet të thoshte “cfarë duhet të bëjnë evropianët…”

Ai ka mbrojtur pjesën tjetër të pyetjes, duke argumentuar se Rusia duhet të detyrohet të negociojë për përfundimin e luftës.