Ballina Aktualitet Finalistja e Miss England që sfidoi standardet e bukurisë/ Garoi pa grim...

Finalistja e Miss England që sfidoi standardet e bukurisë/ Garoi pa grim dhe përcolli një mesazh të fortë

44
0

Melisa Raouf u bë një nga figurat më të veçanta të konkursit Miss England, pasi në vitin 2022 u bë finalistja e parë që vendosi të konkurronte pa grim.

Asokohe 20-vjeçare dhe studente universiteti, Raouf arriti deri në finalen e konkursit duke zgjedhur të shfaqej me fytyrën e saj natyrale, duke sfiduar standardet tradicionale të bukurisë dhe presionin për t’u paraqitur gjithmonë me grim.

Raouf ka treguar se vendimi i saj lidhej me presionin që shumë vajza dhe gra ndiejnë për t’iu përshtatur një modeli të caktuar pamjeje.

“Shumë vajza të moshave të ndryshme përdorin grim sepse ndihen nën presion për ta bërë këtë”, ishte shprehur ajo. Sipas saj, askush nuk duhet të ndihet i detyruar të fshehë tiparet natyrale nëse ndihet mirë me pamjen e vet.

“Papërsosmëritë tona janë pjesë e asaj që na bën unikë”, theksoi Raouf.

Ajo ka rrëfyer se kishte nisur të përdorte grim që në moshë të vogël dhe për një periudhë të gjatë kishte ndier se nuk i përmbushte standardet e bukurisë. Me kalimin e kohës, megjithatë, ajo tha se mësoi ta pranonte veten dhe pamjen e saj natyrale.

Konkursi Miss England kishte prezantuar që në vitin 2019 kategorinë “Bare Face Top Model”, e cila u jep konkurrenteve mundësinë të shfaqen pa grim dhe pa filtrat që përdoren shpesh në fotografitë e aplikimeve.

Zgjedhja e Raouf u vlerësua edhe nga organizatorët. Drejtoresha e konkursit, Angie Beasley, e cilësoi mesazhin e saj si të rëndësishëm për vajzat dhe gratë e reja. Raouf e mbajti të njëjtën qasje edhe në finalen kombëtare të vitit 2022, ku konkurroi pa grim dhe përfundoi third runner-up, pra në vendin e katërt.

Historia e saj vazhdon të rikthehet në vëmendjen e mediave ndërkombëtare si një shembull i rrallë në konkurset e bukurisë, ku një konkurrente vendosi të heqë dorë nga grimi dhe të paraqitet para publikut ashtu siç është.