Ballina Bota Trump: SHBA arrin marrëveshjen më të madhe të naftës në histori me...

Trump: SHBA arrin marrëveshjen më të madhe të naftës në histori me Venezuelën

31
0

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje të paprecedentë për naftën me Venezuelën, e cila, sipas tij, i siguron Uashingtonit kontrollin e shumicës së mbi 65 miliardë fuçive të rezervave të konfirmuara të naftës në vend.

Trump e ka cilësuar marrëveshjen si “marrëveshjen më të madhe të naftës në historinë botërore”, duke pretenduar se ajo do të më shumë se dyfishojë rezervat amerikane të naftës, do të rrisë ndjeshëm furnizimin dhe do të kontribuojë në uljen e çmimeve të benzinës.

Njoftimin, Donald Trump e bëri përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social, duke thënë se marrëveshja është arritur me pjesëmarrjen e qeverisë së Venezuelës dhe kompanive private.

Sipas tij, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kanë punuar me urdhër të tij në bashkëpunim të ngushtë me presidenten e përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodríguez.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës sapo kanë arritur një marrëveshje me Venezuelën për marrëveshjen më të madhe të naftës në historinë botërore”, deklaroi Trump.

Sipas presidentit amerikan, përmes bashkëpunimit me sektorin privat është siguruar “kontrolli amerikan i shumicës së mbi 65 miliardë fuçive të rezervave të konfirmuara të naftës në Venezuelë”, pa kosto për taksapaguesit amerikanë.

Donald Trump ka argumentuar se marrëveshja “më shumë se dyfishon rezervat amerikane të naftës” dhe do të rrisë ndjeshëm furnizimin me energji të Shteteve të Bashkuara.

Sipas tij, kjo marrëveshje do të sjellë në afatgjatë një ulje të ndjeshme të çmimeve të benzinës për konsumatorët amerikanë.

Në të njëjtën kohë, Trump pretendon se marrëveshja do ta ndihmojë Venezuelën të ecë drejt një periudhe “suksesi të jashtëzakonshëm dhe prosperiteti të madh”, si dhe do të forcojë më tej marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Karakasit.

“Kjo marrëveshje do të forcojë ndjeshëm marrëdhënien tashmë në zhvillim mes Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara”, shkroi ai.

Megjithatë, pavarësisht njoftimit të Trump, deri më tani janë bërë publike shumë pak detaje mbi mënyrën konkrete se si do të zbatohet marrëveshja.

Nuk është bërë e qartë se cilat vendburime nafte përfshihen, cilat kompani private do të marrin pjesë dhe përmes cilit model ligjor dhe ekonomik do të ushtrohet “kontrolli i shumicës” nga SHBA.

Negociatat e javëve të fundit ishin përqendruar në sigurimin e aksesit afatgjatë të kompanive amerikane në fushat naftëmbajtëse të Venezuelës, me një pjesë të prodhimit që do të dërgohej në mënyrë të qëndrueshme drejt Shteteve të Bashkuara.

Zbatimi i një plani të tillë mund të përballet, megjithatë, me pengesa ligjore dhe kushtetuese në Venezuelë, pasi shteti ruan kontrollin mbi aktivitetet kryesore të industrisë së naftës.