Ballina Rajoni Greqi, “ngrenë kokë” neonazistët: Ish-eksponenti i “Agimit të Artë”, Kasidiaris, do rikthehet...

Greqi, “ngrenë kokë” neonazistët: Ish-eksponenti i “Agimit të Artë”, Kasidiaris, do rikthehet në politikë

54
0

Nazizmi rikthehet në forma të ndryshme. Në Greqi, ish-eksponenti i lartë i Agimit të Artë, Ilias Kasidiaris, është në prag të lirimit nga burgu. Por me lirimin e tij të pritshëm pas 7 vitesh burg, ka paralajmëruar edhe një rikthim sensacional në politikën greke.

Aktualisht në lirim me kusht, Kasidiaris nuk e ka ndalur aktivitetin e tij politik edhe pse ish-partia e tij, Agimi i Artë në vitin 2020 u shpall organizatë kriminale. Ai menjëherë themeloi partinë kombëtare grekët të cilën e drejtoi nga burgu, ndërsa në vitin 2023 nuk iu lejua kandidimi në zgjedhjet parlamentare, ndaj dhe mbështeti një parti tjetër të ekstremit të djathtë “Spartanët”.

Për momentin, legjislacioni grek ia ndalon kandidimin zyrtarisht në zgjedhjet e 2027, për shkak se është dënuar për vepra të rënda penale, por Kasidiaris po sheh për një rrugë ligjore për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme kombëtare.

Me rifillimin e tensioneve me Turqinë dhe një elektorati tashmë të konsiderueshëm të djathtësh ekstrem ultranacionalist në Greqi, rikthimi i Kasidiaris në politikën greke shihet me shumë shqetësim.

Janë bërë disa zgjedhjeve radhazi në të cilat katër parti të ekstremit të djathtë, votohen së bashku nga të paktën 13% e elektoratit grek, kurse në zgjedhjet europiane ato u mbështetën nga 16%. Në Greqi, thuhet se ky elektorat është edhe më i madh.

Frika më e madhe qëndron tek rikthimi i Agimit të Artë. Partia e themeluar prej vitit 1980, por me rënien e krizës greke, arriti të mobilizojë qyetetarët e pakënaqur me ideologjinë ekstremiste ultranacionaliste duke hyrë për herë të parë në parlament në vitin 2012 si forca e tretë më e votuar nga 440 mijë greke të cilët i besuan 21 deputetë. Sukses i përsëritur ky edhe në vitin 2015.

Por në 8 vite, doli se Agimi i Artë nuk funksiononte vetëm si parti politike, por si organizatë kriminale. Në vitin 2013, këngëtari antifashist Pavlos Fyssas u vra në Athinë nga një anëtar i Agimit të Artë, Giorgios Roupakias. Kjo ngjarje, hapi një hetim të gjerë për partinë, që konkludoi me burgosjen e gjithë drejtuesve të saj, mes të cilëve kryetari Nikos Michaloliakos dhe Kasidiaris.

Rikthimi i Kasidiaris, ështën një lajm i keq edhe për shqiptarët në Greqi. Gjatë viteve në parlament, Kasidiaris e ka shprehur hapur dhe qartazi urrejtjen për emigrantët shqiptarë duke sulmuar edhe emra të veçantë si këngëtarët Eleni Fureira, Eugent Bushpepa apo dhe futbollistë shqiptarë në Greqi, Andi Lilën apo Ergys Kaçen.

Ai e ka konsideruar komunitetin shqiptar si një kërcënim për identitetin grek, duke përdorur kriminalitetin e izoluar për të bërë përgjithësime raciste. Duke kërkuar dëbimin masiv të tyre dhe mbylljen e kufijve me Shqipërinë. Për të mos mbetur pas as pretendimet territoriale për të ashtuquajturin Vorio-Epir në territorin e Republikës së Shqipërisë.