Ballina Aktualitet Sërish tensione para Kryeministrisë, protestuesit nuk pranojnë të largohen, rritet numri i...

Sërish tensione para Kryeministrisë, protestuesit nuk pranojnë të largohen, rritet numri i personave të shoqëruar nga policia

33
0

Tensionet janë rikthyer sërish mbrëmjen e sotme përpara Kryeministrisë, ku vijon protesta e 94-t kundër qeverisë.

Situata është përshkallëzuar mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit, ndërsa raportohet për rritje të numrit të personave të shoqëruar nga policia.

Efektivët kanë ndërhyrë për të larguar qytetarët nga zona përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa protestuesit kanë kundërshtuar ndërhyrjen dhe kanë vijuar qëndrimin e tyre.

Në terren ndodhen forca të shumta policie, përfshirë efektivë të FNSH-së, ndërsa situata vijon të monitorohet nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Protestuesit kanë përsëritur thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa protesta e sotme është shoqëruar me tensione dhe përplasje të vazhdueshme.

Protesta është ndarë në dy fronte. Një pjesë e protestuesve vijon të qëndrojë përpara Kryeministrisë, ku po mbahen fjalimet dhe po përsëriten thirrjet kundër qeverisë. Ndërkohë, vëmendja kryesore është zhvendosur te grupi tjetër i protestuesve, i cili ndodhet pranë një prej hyrjeve të pasme të godinës dhe ka tentuar të avancojë drejt ambienteve të Kryeministrisë.

Policia ka blinduar zonën dhe ka vendosur kordonë të shumtë për të penguar lëvizjen e protestuesve. Pas paralajmërimeve me megafon, efektivët kanë ndërhyrë për t’i zmbrapsur, duke sjellë përplasje në terren dhe përdorimin e gazit lotsjellës.

Në pjesën përpara Kryeministrisë, ndërkohë, vijojnë fjalimet e protestuesve, ndërsa tubimi po zhvillohet në një situatë të tensionuar.

Protesta e sotme shënon ditën e 94-t të mobilizimit të vazhdueshëm. Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa kërkohet gjithashtu ndryshimi i klasës politike dhe krijimi i një qeverie tranzitore.