Ballina Aktualitet Konflikti në Vlorë për pronën në Palasë, 8 makina rrethuan hotelin e...

Konflikti në Vlorë për pronën në Palasë, 8 makina rrethuan hotelin e Vasil Bedinajt

79
0

Pak para mesditës, Policia e Vlorës u ngrit në alarm pasi u sinjalizua për një konflikt masiv në Orikum pranë një Hoteli. Telefonata sinjalizuese bluve u erdhi nga vetë pronari I hotel Palma Vasil Bedinaj I cili pretendoi se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë. Në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 persona, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore. Ata po merren në pyetje nga hetuesit në lidhje me sqarimin e rrethanave. Gjatë kontrollit në automjetin e tyre polica ka gjetur 1 armë zjarri, pistoletë.

Burimet për Top Channel thanë se konflikti ishte mes 2 biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça.

Në momentet pas ngjarjes Bedinaj ka pretenduar se konflikti ishte për një shumë të konsiderueshme parash por burimet thonë se gjithçka lidhet me një pronë e cila po zhvillohet nga Luan Muça në Palasë ku po ndërtohet një resort.

Bedinaj me persona të tjerë ka kërkuar përqindje të kësaj prone çka është kundërshtuar nga Muça, i cili këtë mesditë kishte lënë një takim në Orikum për tu sqaruar.

Ka dyshime se gjatë këtij konflikti fillimisht fizik janë përdorur dhe armët e zjarrit, megjithatë në vendngjarje policia nuk ka konstatuar asnjë gëzhojë.

Një grup i posaçëm hetimor është ngritur për rastin dhe po punohet me kamerat e sigurisë, dëshmitë e të implikuarve dhe të dhëna operative për zbardhjen e gjithë dinamikës së kësaj ngjarje.

Pamjet filmike të sekuestruara nga Policia e Shtetit tregojnë momentin e tensionuar kur të paktën 8 automjete mbërrijnë me shpejtësi dhe rrethojnë hapësirën përpara hyrjes së biznesit.

Në pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë rreth orës 10:30 të mëngjesit, dallohen makinat që bllokojnë rrugën kryesore dhe parkimin e kompleksit, ndërsa prej tyre zbarkojnë disa persona të veshur me të zeza të cilët më pas i drejtohen me shpejtësi hyrjes së resortit për të kanosur pronarin.

Menjëherë pas alarmit të dhënë nga i dëmtuari, forcat e policisë kanë ndërhyrë me urgjencë duke bllokuar nyjet kryesore dhe duke ngritur pika kontrolli në disa akse rrugore të Vlorës. Gjatë krehjes së zonës, në afërsi të Pusit të Mezinit, efektivët kanë repotuar një nga automjetet e dyshuara që po lëvizte me shpejtësi marramendëse për t’i shpëtuar arrestimit dhe janë vënë menjëherë në ndjekje të tij.

Gjatë tentativës për t’u larguar, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin duke u aksidentuar rëndë. Brenda automjetit të përmbysur, efektivët e policisë kanë gjetur tre persona si dhe një armë zjarri të llojit pistoletë. Si pasojë e përplasjes, dy prej të dyshuarve kanë mbetur të dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore nën ruajtje policore, ndërsa personi i tretë nuk ka pësuar dëmtime.

Nën drejtimin e Prokurorisë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili po analizon pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e mbledhura në terren për zbardhjen e plotë të motiveve të ngjarjes, si dhe identifikimin e shoqërimin e të gjithë personave të tjerë që morën pjesë në rrethimin e resortit.