Ballina Bota Masakër në Meksikë/ Vritet muzikanti i njohur, gruaja shtatzënë dhe vajza 3-vjeçare

Masakër në Meksikë/ Vritet muzikanti i njohur, gruaja shtatzënë dhe vajza 3-vjeçare

80
0

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Meksikën, ku katër persona u vranë të martën pasdite në Atizapán, pranë kryeqytetit. Mes viktimave janë një grua shtatzënë, vajza e saj 3-vjeçare dhe bashkëshorti i saj, Jonathan Melendez, muzikant, tastierist dhe një prej anëtarëve themelues të grupit të njohur Camilo Séptimo.

Sipas autoriteteve, çifti u gjet i lidhur në apartament dhe dyshohet se ishte qëlluar me armë zjarri. Edhe vajza 3-vjeçare u gjet e vrarë, ndërsa viktima e katërt, një grua që punonte si ndihmëse shtëpie, kishte marrë një plumb në shpinë.

Në lidhje me ngjarjen, autoritetet kanë arrestuar dy persona. Hetuesit po shqyrtojnë disa pista, mes tyre edhe mundësinë që vrasja e katërfishtë të ketë ndodhur gjatë një grabitjeje.

Djali 6-vjeçar gjendet i gjallë

Familja Melendez jetonte në një apartament në kompleksin rezidencial Grand Viure, në zonën Bosque Esmeralda, në komunën Atizapán, në veriperëndim të Qytetit të Meksikos.

Brenda banesës, policia gjeti edhe djalin tjetër të çiftit, vetëm 6 vjeç. Fëmija ishte gjallë dhe nuk kishte shenja të dukshme dëmtimi.

Ende mbetet e paqartë përse 6-vjeçari nuk u vu në shënjestër, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes u vranë. Në banesë u gjet gjithashtu edhe qeni i familjes, i cili ishte ngordhur dhe ishte lidhur.

Sipas Prokurorisë, vrasjet dyshohet se kanë ndodhur në një interval kohor mes orës 17:30 dhe 19:40 të së martës. Forcat e para të policisë mbërritën në vendngjarje rreth orës 23:50.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në Meksikë, ku dhuna dhe vrasjet e shumëfishta vazhdojnë të mbeten një problem serioz për autoritetet.

Edhe pse qeveria federale ka raportuar kohët e fundit një ulje të numrit të vrasjeve, rastet ku humbin jetën tre ose më shumë persona vijojnë të regjistrohen në vend.

Sipas organizatës Causa en Común, në Meksikë janë regjistruar 3,036 vrasje masive nga janari 2020 deri në mars 2026. Vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2026, organizata ka dokumentuar 60 raste të tilla.