Ballina Aktualitet Rikthimi i gjigantit të abuzimit me tenderat/ Jonaid Myzyri i jep 3.9...

Rikthimi i gjigantit të abuzimit me tenderat/ Jonaid Myzyri i jep 3.9 milionë euro kompanive të lidhura me Tom Doshin

76
0

Nga njëri tender te tjetri, Operatori i Blerjeve të Përqendruara po kthen skemën e procedurave pa garë në një normë të zakonshme pune. Nën drejtimin e Jonaid Myzyrit, miliardat e ilaçeve për spitalet publike përfundojnë sërish në duart e të njëjtit rreth biznesi, aty ku të gjitha fijet, nëpër letra apo në prapaskenë, të çojnë drejtpërdrejt te politikani dhe biznesmeni Tom Doshi.

Së fundmi, ky institucion i ka dhënë dy tendera me vlerë totale prej 359.9 milionë lekësh, ose rreth 3.9 milionë euro, dy kompanive të lidhura ngushtë me kryetarin e Partisë Social Demokrate, duke shmangur totalisht konkurrencën e lirë.

Procedurat në fjalë lidhen me dy marrëveshje kuadër 24-mujore për furnizimin e spitaleve me medikamente bazë. Në lotin e parë, me vlerë 178,1 milionë lekë për blerjen e serumit fiziologjik, në garë u paraqit vetëm bashkimi i operatorëve “REJSI FARMA” dhe “ALDOSCH – FARMA”. Pa asnjë rival përballë, ata ofruan një çmim sa 99,5% të fondit limit, duke e marrë kontratën thuajse me vlerën maksimale të parashikuar.

11111111.PNG

Skenari u përsërit me saktësi kirurgjikale edhe në lotin tjetër prej 181,8 milionë lekësh për medikamentin e kombinuar paracetamol dhe ibuprofen. Kësaj radhe hyri në lojë vetëm kompania “INTERMED”, e cila e fitoi tenderin me një ofertë sa 99,8% të vlerës, pa ngjallur asnjë shqetësim te drejtuesi i OPB-së për mungesën e plotë të garës.

2222.PNG3333.PNG

Pas këtyre fitoreve pa përplasje ofertash fshihen emra dhe struktura që lidhen me të njëjtin njeri. Kompania “Aldosch – Farma”, e cila prej kohësh dominon tenderat e shëndetësisë, figuron në letrat e Qendrës Kombëtare të Biznesit në pronësi të shtetasit Aqif Hoxha. Megjithatë, të dhënat tregojnë se Hoxha ka qenë historikisht një punonjës i thjeshtë në bizneset e Tom Doshit dhe dyshohet se shërben si pronar vetëm në letra për të fshehur pronësinë reale. Kjo lidhje konfirmohet edhe nga faktet zyrtare, ku Hoxha mban postin e Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës te kompania “Antibiotik”, e cila zotërohet drejtpërdrejt nga vetë ish-deputeti.

111.PNG222.PNG

Nga ana tjetër, kompania “INTERMED” zotërohet nga biznesmeni Petrit Maho, i cili ka një histori të dokumentuar ortakërie me Tom Doshin. Marrëdhënia e tyre financiare e ka zanafillën në vitin 2014 në sektorin e blegtorisë, kur Maho i shiti Doshit 35% të kuotave të kompanisë së pularisë “Beata” në Koplik, duke e bërë atë aksionerin kryesor të sipërmarrjes. Megjithëse pas disa ndryshimeve të mëvonshme ligjore aksionet u rikthyen sërish te Maho, kjo lëvizje la pas një urë të fortë bashkëpunimi ekonomik, çka ka bërë që mediat ta denoncojnë shpesh atë si një nga emrat që mbulon interesat e Doshit në prokurimet e shëndetësisë.

Në fund të ditës, pesha kryesore e përgjegjësisë bie mbi Jonaid Myzyrin, i cili i ka kthyer tenderat pa garë dhe me çmime pranë tavanit maksimal në një model të zakonshëm prokurimi. Mënyra se si janë zhvilluar këto dy procedura ngre hije të forta dyshimi për “kostume të qepura me porosi” në dëm të financave publike. Mungesa e konkurrencës dhe kalimi i miliona eurove në kanale të paracaktuara janë tregues të qartë se kërkon një hetim të thelluar nga organet e drejtësisë./vna