Ballina Politika Taulant Balla i kapur në përgjime me bandat kriminale nga një shtet...

Taulant Balla i kapur në përgjime me bandat kriminale nga një shtet i BE, pritet ndërhyrja e SPAK për fletë-arrest ndaj deputetit të Ramës

58
0

Taulant Balla rrezikon prangat pas përgjimeve që e lidhin emrin e deputetit të Edi Ramës me botën e krimit. Në materialet hetimore kanë dalë biseda ku Balla përmendet me emër dhe mbiemër, ndërsa çështja ka marrë edhe përmasë ndërkombëtare, pasi në të është përfshirë një shtet anëtar i Bashkimit Europian që po zhvillon hetime të veçanta.

Detajet janë bërë publike nga Gent Progni, i cili ka thënë së fundmi në News24 se materialet ndodhen te SPAK dhe prokurorët janë gati për të vepruar. “Balla është pjesë e krimit, është e vërtetuar. U kapën biseda ku flitet me emër dhe mbiemër. Nuk është informacion që të thuash; ua. SPAK e ka dhe si dosje. Në dijeninë time do të veprojë dhe ndaj Taulant Ballës. Dosja është nën hetim. Di që është përfshirë dhe një shtet i BE në atë dosje, që po heton në mënyrë koncize. Shpresoj që SPAK ta marrë guximin për të cilin e ka marrë detyrën.”, tha ai.

Gazetari Çollaku zbuloi se në dokumentet zyrtare të dosjes pasqyrohet një pazar i frikshëm, ku kreu i bandës së Elbasanit, Suel Çela, i ka kërkuar “Taos” arrestimin e disa emrave specifikë, duke i premtuar në këmbim Partisë Socialiste 9 deputetë në këtë qark.

Sipas Çollakut, kjo kërkesë mori edhe miratimin e kryeministrit Edi Rama, pasi mesazhi iu përcoll atij në një copë letër dhe mori konfirmim të plotë për të burgosur rivalët në shkëmbim të votave. Në kuadër të këtyre pazareve politike dhe kriminale, zbardhja e aplikacionit “SKY ECC” po nxjerr në dritë se si strukturat e shtetit u vendosën plotësisht në shërbim të grupeve të strukturuara. Përgjimet tregojnë se “Tao” nuk funksiononte thjesht si një zyrtar i korruptuar, por si një garantues i interesave të bandës së Suel Çelës në nivelet më të larta të ekzekutivit.

Kjo skemë e frikshme, ku policia dhe prokuroria përdoreshin për të eliminuar rivalët e krimit në këmbim të mandateve parlamentare, ka tronditur edhe partnerët ndërkombëtarë që monitorojnë drejtësinë shqiptare. Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar publikisht pasazhe të tjera nga dosja, duke vënë theksin te komunikimet e zbardhura nga aplikacionet e enkriptuara “SKY ECC” dhe “EncroChat”.

Berisha deklaroi se televizioni kombëtar i Belgjikës ia ka nxjerrë tashmë emrin zyrtarit socialist, duke e cilësuar “Dosjen 26/1” si dosjen e ferrit për dyshen Rama-Balla. Sipas përgjimeve të zbardhura nga targeti me PIN-in specifik AM5P80, grupi i Suel Çelës nuk i kërkoi “Taos” tendera publikë, por vetëm prangosjen e fisit rival të Çapjave.

Kjo marrëveshje kriminale u zbatua pikërisht në mars të vitit 2021 para zgjedhjeve, kur arrestimi i Ardjan Çapjas bëri që Balla të shpallej “kampion votash” në Elbasan. Implikimi i tij në dosjen “Toyota Yaris” dëshmon gjithashtu se pastrimi i parave të pista dhe ndikimi mbi oficerët e BKH-së ishte një praktikë e shtrirë në kohë.

Përveç kësaj, lideri i opozitës denoncoi një tjetër bisedë të datës 13 prill 2020, ku sipas kodit “1FA806”, Balla kishte marrë përsipër për llogari të bandës që të pastronte plotësisht Komisariatin e Elbasanit dhe të dëbonte të gjithë policët e lidhur me “Boerët”. Ndërhyrjet kirurgjikale në emërimet dhe shkarkimet brenda Komisariatit të Elbasanit konfirmojnë se asnjë zyrtar i ndershëm policie nuk mund të vepronte jashtë urdhrave të kupolës politiko-kriminale.