Partia Progresive Serbe (SNS) ka propozuar njëzëri Aleksandër Vuçiçin si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi.
Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të SNS-së në Nish, ku u vendos gjithashtu që partia të garojë me listën “Aleksandër Vuçiç – Serbia e Bashkuar”, me Vuçiçin si bartës të saj.
Duke pranuar kandidaturën, Vuçiçi tha se për të kjo ishte “një nder i madh”, ndërsa bëri edhe një bilanc të qeverisjes së SNS-së.
“Para 18 vitesh e themeluam partinë. Arritëm ta ndryshojmë Serbinë. A ishte gjithçka ideale? A i bëmë të gjitha siç duhej? Sigurisht që jo. Kemi bërë gabime dhe ato gabime duhet t’ua pranojmë qytetarëve”, tha Vuçiçi.
Ai shtoi se, sipas tij, nuk ekziston një parti tjetër që mbron interesat kombëtare serbe më me përgjegjësi se SNS.
Duke argumentuar këtë qëndrim, Vuçiçi u ndal te Kosova dhe akuzoi qeveritë e mëparshme për zhvillimet që, sipas tij, çuan në shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi dhe më pas të Kosovës.
“Bilanci i pushtetit të mëparshëm ishte 12 vite qeverisje politike: heqja dorë nga vazhdimësia me Jugosllavinë, shkatërrimi i bashkësisë shtetërore të Serbisë dhe Malit të Zi, shpallja e pavarësisë së Malit të Zi dhe më pas shpallja e njëanshme e pavarësisë së të ashtuquajturës Kosovë”, deklaroi Vuçiçi.
Ai shtoi se, sipas tij, këto zhvillime u shoqëruan me “vuajtje dhe dëbim të serbëve”, ndërsa reagimi i shtetit ishte i pamjaftueshëm. Vuçiçi përmendi edhe ngjarjet e marsit 2004 në Kosovë, kur, sipas tij, u shkatërruan kisha dhe manastire serbe, ndërsa serbët u vranë dhe u dëbuan.
Presidenti serb sulmoi edhe Tribunalin e Hagës, Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilat i quajti “gjykata të padrejtësisë”.
“Kam marrë urdhra detyrues për arrestimin e radikalëve, për arrestimin e Sheshelit. Jam krenar që nuk kam dorëzuar asnjë serb në Tribunalin e Hagës. Jam krenar dhe ec me kokën lart në këtë vend për këtë. I përballova të gjitha presionet”, u shpreh Vuçiçi.
Presidenti serb deklaroi gjithashtu se Serbia nuk mund të pranojë një kompromis që nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Kur Hashim Thaçi filloi të fliste për mundësinë e arritjes së një kompromisi, përgjigjja ishte se me serbët nuk ka kompromis. Kompromisi, sipas tyre, duhej të nënkuptonte që serbët ta njihnin të ashtuquajturën Kosovë të pavarur, të pendoheshin dhe të kalonin nëpër një katarsis”, tha Vuçiçi.







