Arkeologët kanë zbuluar në Serbi mbetjet e një kompleksi termal luksoz, që i përkiste perandorit romak, Maksimian Daza, dhe anëtarëve të rangut më të lartë të oborrit të tij. Bëhet fjalë për një banjo të ndërtuar në shekullin IV në kompleksin perandorak të Vrelo-Šarkamen, pranë qytetit të Negotinit.
Sipas arkeologëve, vendndodhja dhe forma e këtij kompleksi nuk kanë një të ngjashëm të njohur në asnjë sit tjetër të Perandorisë Romake. Rezidenca monumentale lidhet me Maksimian Dazën, i cili ishte perandor romak nga viti 310 deri në vitin 313 dhe kishte lindur në këtë zonë.
Në pjesën më të ulët të një kulle monumentale, në cepin jugperëndimor të pallatit, arkeologët zbuluan një kompleks termal me formë rrethore. Kjo është një zgjidhje e pazakontë për arkitekturën romake, pasi termat zakonisht ndërtoheshin në mënyrë lineare, me dhomat të vendosura njëra pas tjetrës.
Salla kryesore ishte e mbuluar me një kupolë me gjashtë dritare, ndërsa hyrja monumentale në anën perëndimore përdorej nga personeli që kujdesej për furnizimin e furrës që ngrohte ambientet.
Në zonën teknike u gjetën furra e sistemit të ngrohjes nën dysheme, të njohur si hipokaust, si dhe baza e një kazani prej bakri që përdorej për ngrohjen e ujit.
Kompleksi përmbante tri pishina dhe një sudatorium, të ngjashëm me një banjë turke ose sauna. Ndryshe nga termat publike, ky ambient ishte i rezervuar vetëm për elitën e pallatit.
Zbulimi i ri tregon se rezidenca e Maksimian Dazës ishte shumë më luksoze dhe komplekse nga sa mendohej më parë. Në të njëjtin sit, rreth 30 vjet më parë, ishte zbuluar edhe një mauzole perandorak me një thesar të jashtëzakonshëm bizhuterish ari.
Maksimian Daza ishte një nga tetrarkët e Perandorisë Romake. Ai u shpall August në vitin 311, por mbretërimi i tij zgjati vetëm dy vjet. Në vitin 313, ai u mposht në një luftë civile nga rivali i tij, Licini, dhe vdiq po atë vit.







