Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, ka reaguar pas vdekjes së një elektricisti 32-vjeçar në Belsh, duke ngritur shqetësimin për sigurinë e punonjësve që punojnë me rrjetin elektrik. Përmes një postimi, Bozdo shprehet se çdo elektricist që ngjitet në një shtyllë duhet të kthehet shëndoshë e mirë pranë familjes së tij.
Sipas deputetit të PD-së, të paktën 5 elektricistë kanë humbur jetën në Shqipëri gjatë tre muajve të fundit në aksidente të lidhura me energjinë elektrike. Ai rendit rastet në Mirditë, Himarë, Pogradec, Vau i Dejës dhe Tropojë, ku sipas tij një punonjës humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën. Bozdo pretendon se këto ngjarje nuk duhen konsideruar thjesht si aksidente, por si pasojë e gjendjes së rrjetit elektrik dhe mungesës së standardeve të sigurisë në punë.
Ai i ka kërkuar ministrit Karakaçi të japë shpjegime lidhur me numrin e viktimave dhe përgjegjësitë për sigurinë e punonjësve të sektorit energjetik.
REAGIMI I BOZDOS
🕳 Sot, një tjetër elektriçist 32 vjeçar humbi jetën në Belsh, në krye të detyrës!
Edhe sa elektricistë të tjerë duhet të humbin jetën për shkak të situatës dëshpëruese të gjendjes teknike të linjave të amortizuara elektrike?
🙏 Çdo elektricist që ngjitet në një shtyllë duhet të kthehet në shtëpi te familja e tij.
Vetëm në tre muajt e fundit, të paktën 5 elektricistë kanë humbur jetën në Shqipëri në aksidente të lidhura me energjinë elektrike:
📍 Mirditë – 1 viktimë
📍 Himarë – 1 elektricist i OSSH-së
📍 Pogradec – 1 elektricist
📍 Vau i Dejës – 1 elektricist
📍 Tropojë – 1 punonjës, ndërsa 3 të tjerë u plagosën.
Nuk janë aksidente, por Pasqyra e Sektorit Energjetik, pasojë e një rrjeti shumë të amortizuar dhe e mungesës së standardeve minimale të sigurisë në punë.
Qeveria ka investuar miliarda në propagandën e saj për “transformimin” 3D të sektorit të energjisë, por vazhdon të lejojë që punonjësit e energjisë të punojnë në kushte mesjetare.
Ministri Karakaçi duhet të duhet shpjegojë:
🚩 Sa nga këto vdekje ishin të parandalueshme dhe
🚩 Kush mban përgjegjësi për sigurinë e njerëzve që punojnë çdo ditë me rrjetin elektrik?
🚩 A do të përgjigjen përgjegjësit për këto tragjedi?
Pasqyra është e vërteta, ndërsa propaganda e “besnikërisë” është gjetja më bajate e Edi Ramës!







