Ballina Politika Hetimi i SPAK ndaj kreut të SHISH, Agron Duka: Është faji i...

Hetimi i SPAK ndaj kreut të SHISH, Agron Duka: Është faji i mënyrës se si është menaxhuar pushteti

37
0

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, e cilësoi një ngjarje të rëndë hetimin dhe masën e sigurisë së SPAK ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni. I ftuar në nje emision televiziv, ai tha se kjo ngjarje ka kosto politike dhe kombëtare, ndërsa përgjegjësinë politike e lidhi me mënyrën se si, sipas tij, është ushtruar pushteti.

Sipas Dukës, problemi nuk lidhet me individin dhe në këtë rast Vlora Hysenin. Ai argumentoi se zgjatja e qeverisjes dhe përqendrimi i vendimmarrjes kanë ndikuar në këtë situatë, duke shtuar se, sipas tij, përgjegjësia nuk është e Vlora Hysenit, por e kryeministrit Edi Rama.

“Ngjarje shumë e rëndë. Janë cënuar 2 kolona të rëndësishme të shtetit. Është një minus i madh për qeverinë shqiptare. Ka kosto të madhe politike dhe kombëtare.

Nuk është faji i Vlora Hysenit. Është faji i mënyrës se si është menaxhuar pushteti. Dëshira për të ricikluar pushtet, zgjatja në kohë ka sjellë një orientim nga 1-shi që është Rama. Mund të mos ishte Vlora por mund të ishte një tjetër. Kushdo që të ishte do vazhdonte të njëjtën linjë që kërkon pushteti”.

Duka krahasoi funksionimin e SHISH me periudhën kur ai ishte ministër, duke kujtuar se atëherë institucioni, sipas tij, ruante ekuilibra institucionalë. Ai përmendi ish-drejtorin e SHIK-ut, Fatos Klosi, si shembull të një drejtuesi që, sipas tij, nuk ndikohej politikisht.

“Kur unë kam qenë ministër, drejtor i SHIK ka qenë Fatos Klosi. Të gjithëve na vinin informacione javore për problemet e dikasterit. Ne merrnim informacionet tona. Ruante ekuilibra të mëdhenj SHISH. Nëse kjo nuk ka funksionuar dhe informacioni u ka shkuar atyre që nuk duhet kjo është shumë keq.

Të ishte Fatos Klosi, ka qenë me integritet. Nuk mund ti thoje Klosit ‘shko tako grupin e Durrësit apo Shkodrës’. Prandaj nuk zgjidhet një njeri i tillë por dikush që mund ta orientosh. Nuk ka faj Vlora por ka faj Edi Rama” tha ai.