Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka dhënë këtë të enjte një përgjigje pozitive për riorganizimin administrativo-territorial të qarkut, duke mbështetur variantin që parashikon bashkimin e Bashkisë Elbasan me Bashkinë Cërrik dhe Bashkinë Belsh.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak nisi në orën 17:00 dhe diskutimi për reformën territoriale u shoqërua me debate dhe qëndrime të ndryshme mes grupeve politike.
Kryetari i grupit të këshilltarëve të majtë, Hektor Çiftja, e cilësoi bashkimin e tre bashkive si një reformë historike dhe të domosdoshme. Sipas tij, një organizim i tillë do të krijonte mundësi për përmirësimin e shërbimeve publike, përqendrimin e investimeve dhe një menaxhim më efikas të burimeve.
Ndërsa kundër propozimit u shpreh kryetarja e grupit të këshilltarëve të opozitës, Bianka Çopja. Ajo argumentoi se Elbasani, Cërriku dhe Belshi duhet të ruajnë statusin aktual dhe propozoi që reforma të shqyrtojë krijimin e njësive të reja vendore.
Konkretisht, Çopja përmendi krijimin e Bashkisë Bradashesh dhe Bashkisë Shpat, që është edhe një prej propozimeve të artikuluara nga Partia Demokratike në Elbasan.
Edhe këshilltarja Doris Madhi ngriti pikëpyetje mbi procesin e konsultimeve publike, duke e cilësuar atë si një formalitet me vlerë të kufizuar për shkak të pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve.
Gjatë fjalës së saj, Madhi iu referua edhe raportit mes qytetarëve dhe opozitës, duke deklaruar: “Mjerisht e them me dhimbje se aktualisht qytetarët kanë tradhtuar opozitën, por edhe veten”.
Kundër reformës u shpreh edhe këshilltari i mandatuar nga PSD, Erion Murataj, i cili kritikoi si modelin e propozuar nga shumica, ashtu edhe mënyrën e konceptimit të reformës.
“Pasi zhbëtë identitetin krahinor, sot PD dhe PS prodhuan shpopullim, varfëri, mjerim. Po i jepni kazmën e fundit me pseudoreformën të ardhmes së Shqipërisë dhe të ardhmes së shqiptarëve. Do ju dalë përpara një Avni Rustemi. Jam kategorikisht kundër kësaj reforme”, tha Murataj.
Debatet u shoqëruan edhe me tensione në momentin e votimit. Sipas burimeve nga mbledhja, në nisje ishin të pranishëm 37 nga 51 këshilltarët bashkiakë. Para votimit, këshilltari i PSD-së, Erion Murataj, ndërhyri në aparaturat elektronike të votimit, duke fikur disa prej tyre.
Më pas, në momentin e votimit, nga salla u larguan tetë këshilltarë të Partisë Demokratike dhe një këshilltare e Partisë së Lirisë. Pas largimit të tyre, propozimi u hodh në votim.
Nga këshilltarët që morën pjesë në votim, 26 votuan pro, 2 kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.
Në këtë mënyrë, Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi propozimin për riorganizimin administrativo-territorial sipas variantit që parashikon bashkimin e Elbasanit me Cërrikun dhe Belshin.







