Rikonstruksioni i Filarmonisë, një pikë referimi vezulluese me ngjyrë të artë në kryeqytetin gjerman, e cila është selia e Filarmonisë së Berlinit, mund të kushtojë rreth 800 milionë euro (910 milionë dollarë), sipas një studimi fizibiliteti të publikuar të martën.
Drejtoresha artistike Andrea Zietzschmann tha se nuk kishte pasur asnjë rinovim themelor të ndërtesës që nga hapja e saj në vitin 1963.
Puna pritet të fillojë në vitin 2032 dhe të zgjasë deri në vitin 2040, gjatë së cilës orkestrës mund t’i duhet të zhvendoset në ish-Aeroportin Tempelhof, me një kosto të parashikuar prej 350 milionë eurosh, duke e çuar koston totale në 1,15 miliardë euro.
Filarmonia, e projektuar nga Hans Scharoun dhe e vendosur pranë Potsdamer Platz, është një nga ndërtesat më ikonike të Berlinit. Dirigjenti i saj kryesor aktual i orkestrës me famë botërore është Kirill Petrenko.
Ndërtesa e vjetëruar përballet me probleme në lidhje me sigurinë nga zjarri, ndërsa sistemet e ajrit të kondicionuar dhe infrastruktura elektrike janë të amortizuara. Edhe ambientet sanitare herë pas here mbushen me ujë për shkak të tubacioneve të bllokuara.
“Ajo që është kjo sallë për ne si orkestër është ajo që është violina ime për mua si violinist instrumenti ynë”, tha Philipp Bohnen, anëtar i bordit mediatik të Filarmonisë së Berlinit.
“Akustika që kemi këtu është e jashtëzakonshme dhe unike në botë”, tha Bohnen.
Financimi i projektit ende nuk është përfunduar. Qeveria gjermane ka premtuar deri në 225 milionë euro, në kuadër të një marrëveshjeje për financimin e projekteve në kryeqytet, ndërsa buxheti i investimeve të Berlinit përfshin 350 milionë euro, duke e çuar fondin e parashikuar deri tani në gati 600 milionë euro.
Zietzschmann tha se kjo përbënte një fillim të mirë dhe shprehu shpresën se qeveria e ardhshme e landit të Berlinit do të merrte së shpejti një vendim.







