Ballina Aktualitet Në kërkim nga Shqipëria për evazion fiskal, arrestohet në Maqedoninë e Veriut...

Në kërkim nga Shqipëria për evazion fiskal, arrestohet në Maqedoninë e Veriut pronari i “Sante Plus”, Bilal Kara. Hetim për miliona euro abuzime me pacientët

67
0

Biznesmeni turk Bilal Kara, bashkëpronar i spitalit privat “Sante Plus”, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare që prej shtatorit 2025, është arrestuar në Maqedoninë e Veriut gjatë një operacioni të gjerë kundër abuzimeve financiare në sektorin shëndetësor. Së bashku me të, sipas mediave maqedonase, është arrestuar edhe Geriana Arapi, ish-drejtoreshë e spitalit, e cila gjithashtu kërkohej nga policia shqiptare.
Operacioni u zhvillua më 29 tetor nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet maqedonase, tetë persona u arrestuan, ndërsa kallëzimi penal përfshin 11 persona fizikë dhe një subjekt juridik. Gjatë kontrolleve në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë u sekuestruan rreth 50 mijë euro dhe telefona celularë.
Në qendër të hetimit është një skemë e dyshuar faturimi të dyfishtë të operacioneve të syve. Sipas policisë maqedonase, për të njëjtat ndërhyrje spitali përfitonte pagesa nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ndërsa pacientëve u kërkonte të paguanin edhe privatisht, pa u bërë të ditur se shërbimi mbulohej nga Fondi.
Nga kjo skemë dyshohet se janë dëmtuar 3 mijë deri në 4 mijë pacientë. Sipas të dhënave të kallëzimit penal të publikuara në Maqedoninë e Veriut, dëmi i shkaktuar Fondit përllogaritet në rreth 1.7 milionë euro, ndërsa përfitimi i dyshuar i paligjshëm i institucionit shëndetësor për periudhën 2022–2025 arrin në rreth 4.25 milionë euro. Ministri maqedonas i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deklaroi se hetimi kishte nisur më shumë se një vit më parë dhe se ai vetë kishte kërkuar verifikimin e veprimtarisë së spitalit. Sipas tij, faturimi i dyfishtë i shërbimeve ishte një nga shkeljet më të përhapura të konstatuara gjatë hetimit.
Bilal Kara dhe Geriana Arapi rezultojnë emra të njohur edhe për autoritetet shqiptare. Më 3 shtator 2025, Policia e Tiranës ushtroi kontroll në spitalin privat “International Medical Care Hospital”, ish-“Sante Plus”, ku konstatoi një sërë shkeljesh. Sipas njoftimit të policisë, hetimet disamujore në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës kishin zbuluar një skemë të dyshuar evazioni fiskal mbi një milion euro, nëpërmjet faturave të pafiskalizuara.
Gjatë kontrollit u gjetën medikamente të dyshuara të kontrabanduara, barna me afat përdorimi të përfunduar, si dhe pesë punonjës të paregjistruar në sigurimet shoqërore. Policia arrestoi administratorin Edmond Zaja dhe shpalli në kërkim Bilal Karan dhe Geriana Arapin.

Këto të dhëna janë publikuar edhe nga VNA në shtator 2025, duke iu referuar njoftimit zyrtar të policisë.
Arrestimi në Maqedoninë e Veriut lidhet me një procedim tjetër penal nga ai i nisur në Shqipëri. Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar të publikuar për ndonjë procedurë ekstradimi të Karas apo Arapit drejt Shqipërisë.