Pak javë më parë Prokuroria e Posaçme ushtroi kontroll personal, duke i sekuestruar celularin bashkëshortit të Ogerta Manastirliut, ish-ministre e Shëndetësisë dhe e propozuar nga Edi Rama si kandidate për kryetare e Bashkisë së Tiranës. VNA ka mësuar se SPAK po heton rolin e bashkëshortit të ish-ministres në koncesionin e laboratorëve.
Burime pranë Prokurorisë së Posaçme bënë me dije se kontrolli u bë me qëllim verefikimin e disa të dhënave, që dyshohet se mund të implikojnë bashkëshortin e Manastirliut. Celulari i sekuestruar është dërguar në laborator dhe pritet të zbërthehet dhe analizohet nga hetuesit në harmoni me provat e tjera. Më herët me urdhër të prokurores Dorina Bejko janë ushtruar dhjetra kontrolle.
Koncesioni u laboratorëve, është një kontratë partneriteti Publik-Privat me vlerë 100 milionë euro.
Kontrata u fitua në prill të 2017 nga një koncorcium prej 3 kompanish; Labopharma sh.p.k, e cila zotëron 41.7%, nën shoqërinë mëmë T-MEDSS; AB Laboratory Solution B.V., zotëron 33.3%, e regjistruar në Holandë dhe e lidhur me kompaninë Pegasus sh.p.k të biznesmenit Janis Karathano dhe Exalab France, kompania e cila zotëron 25% të koncesionit. Dyshimet janë që pas këtij koncesioni është biznesmeni Klodian Allajbeu i spitalit amerikan. Kontrata koncesionare po kalon në filtrin e hetimeve të thelluara në SPAK.







