Ballina Sport Tre muaj në koma, shuhet jeta e boksierit irlandez

Tre muaj në koma, shuhet jeta e boksierit irlandez

23
0

Boksieri irlandez Lee Reeves ka ndërruar jetë të hënën në mbrëmje, në moshën 31-vjeçare, pas tre muajsh qëndrimi në koma të induktuar nga mjekët, përcjell Bota sot.

Reeves kishte pësuar lëndime të rënda në tru gjatë një meçi boksi kundër Gary Cully, më 1 gusht, në palestrën “3Arena” në Dublin. Ai ishte nokautuar në raundin e 10-të, pasi ishte rrëzuar dy herë dhe kishte humbur vetëdijen. Menjëherë pas kësaj, ishte nxjerrë nga ringut me barelë dhe i ishte nënshtruar një operacioni urgjent.

Sipas raportimeve të mediave irlandeze, muajin e kaluar ai ishte transferuar nga një spital në Dublin në Spitalin Universitar të Limerickut, në vendlindjen e tij. Familjarët dhe miqtë kishin shpresuar në shërimin e tij, por një infeksion tjetër, të cilin e kishte marrë gjatë fundjavës, kontribuoi në vdekjen e tij.

Promotori i boksit, Queensberry, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen e tij nga jeta, duke e cilësuar Reeves si një boksier jashtëzakonisht të talentuar dhe frymëzim për komunitetin e tij.

Gjatë karrierës profesioniste, e cila kishte nisur në vitin 2018, Reeves regjistroi 16 fitore, dy humbje dhe 11 fitore me nokaut. Ai kishte qenë gjithashtu pesë herë kampion kombëtar në boksin amator.

Përveç sportit, Reeves ishte i angazhuar në promovimin e vetëdijesimit për shëndetin mendor dhe kishte shërbyer si ushtar në batalionin e 12-të, me bazë në Limerick.