Ballina Opinion Erion Veliaj, ‘Tik-tokeri’ i paraburgimit të Durrësit!

Erion Veliaj, ‘Tik-tokeri’ i paraburgimit të Durrësit!

13
0

Nga Bledian Koka 

Prej disa javësh një adresë e “check-uar” me emrin Erion Veliaj poston çdo ditë video të shkurtra të “kryebashkikaut” të Tiranës, jo në birucën e paraburgimit në Durrës, por i lirë dhe në “krye” të detyrës. Mesazhe të koduara me rosakë të vegjël, vargje për paburrërinë, e citate për pabesinë janë okeljot që shoqërojnë këtë komunikim të ri e gati okult të llogarisë “Erion Veliaj” në Tik-Tok. Pyetja është shtruar prej ditësh nëse kjo është llogaria e vërtetët e Erion Veliajt. Vetë ky i fundit apo enturazhi i tij as nuk e ka konfirmuar dhe as nuk e ka mohuar ekzistencën e këtij profili.

I burgosur, por jo i heshtur. Kështu shfaqet Erion Veliaj në videot e fundit të publikuara në TikTok. Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, tashmë nën hetim për çdo hajni që ka bërë pa bashkëpunimin e Edi Ramës, po zgjedh të ruajë një prani të fortë publike edhe nga paraburgimi. Dhe këtë po e bën përmes platformës më të zhurmshme të momentit – TikTok. Pikërisht në rrjetin i cili zyrtarisht në Shqipëri prej dy muajsh është i bllokuar me urdhër të Edi Ramës. Deri ku mund të shkojë kryengritja e një të paraburgosuri në autokracinë e Edi Ramës, boll të shikosh sesi votuan burgjet në 11 maj ku 99% të tyre partia e Edi Ramës u votua me 90% të votave.

Por, duke u nisur nga premisa që Erion Veliaj “fshihet” realisht pas llogarisë me të njëjtin emër në Tik Tok tentojmë të kuptojmë se cili është qëllimi i këtij komunikimi të ri!

Në një nga videot që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, Veliaj deklaron: “Arrestimi dhe përpjekja për të më poshtëruar – e di që ju ndjeu mirë. Por karma gjithmonë gjen një rrugë për t’u kthyer, edhe nëse vonon. Shpresoj të jeni po aq të fortë sa isha unë.”

Nuk është e qartë se kujt ia ka bërë benë Erion Veliaj dhe sa ka ai në dorë që kjo të ndodhë më kundërshtarët e tij brenda PS. Por qartazi ky është një mesazh që nuk flet vetëm për një betejë personale. Mesazhi ishtë një komunikim politik i koduar, një strategji për të mbajtur veten në qendër të vëmendjes edhe në rrethana të vështira ligjore.

Veliaj nuk i drejtohet më institucioneve apo debatit politik klasik, pasi tashmë ai e ka të qartë se ky sistem kontrollohet dhe filtrohet totalisht nga Edi Rama. Dhe me shumë gjasë për këtë arsye ai ka zgjedhur TikTok-un, sëpari si një formë kundërvënie e më pas edhe sepse Tik-Tok është një platformë që flet me ritëm, me ndjeshmëri dhe me simbolikë. Erion Veliaj duket sikur po i përdor spërdredhjet e tij në Tik-Tok edhe për të ndërtuar një profil që përçon durim, dinjitet dhe përballje me “padrejtësinë”. Përdorimi i termave si “karma” apo “forca” nuk është i rastësishëm, por është pjesë e një narrative që e vendos atë si viktimë të një sistemi që, sipas tij, ka devijuar.

Në fund të ditës TikTok-u duket se i shërben Veliajt edhe për një mision më të thellë, të ruajë figurën politike përtej realitetit të një paraburgimi. Ai kërkon të qëndrojë “i gjallë” në kujtesën e publikut, duke mos lejuar që heshtja ta përjashtojë nga skena. Vetëm se harron që linçimi që i gatoi me kujdes Edi Rama ndër vite e sidomos me dosjen e akuzës nga SPAK, e kanë bërë Erion Veliaj thjeshtë një copë të munguar të korrupsionit që mazhoranca e ka arnuar momentalisht me Anuela Ristanin!

Analistët e komunikimit politik besojnë se përmes këtyre videove, Veliaj po tenton të ndërtojë figurën e një lideri që kalon stuhinë me kokën lart. Ai nuk bën thirrje për drejtësi në mënyrën tradicionale, por i drejtohet emocioneve të publikut. Mesazhet duken qartazi të orientuar për të shkaktuar diskutim dhe për të krijuar simpati, sidomos tek të rinjtë që përbëjnë një pjesë të madhe të audiencës së TikTok-ut.

Ky stil komunikimi është sa perfid nga ana taktike, por edhe i rrezikshëm. Në thelb Erion Veliaj duket se po tenton të shmangë përballjen me faktet dhe për të kthyer një proces gjyqësor në një betejë morale e emocionale. Të asaj drejtësie-monstër që aq shumë u investua për ta kapur, por siç e ka treguar dhe mitologjia, monstra e ka për zakon të hajë bijtë e vet!