Nga Erion Dasho
Për pak orë Zegjineja e Roskovecit e gjeti veten jashtë Kuvendit. Rinumërimi i votave tregoi se para modelit Zegjine, votuesit e Fierit në fakt kishin përzgjedhur një farmaciste të re, e cila me sa duket në vend të gallatë-fushatës kishte zgjedhur një tjetër mënyrë komunikimi me qytetarët dhe votuesit.
Në ato pak orë, u vunë në pikëpyetje jo vetëm “takimet” e paralajmëruara të shtatorit ku personazhi Zegjine priste të takohej me drejtuesit më të lartë të opozitës, jo vetëm orët e shkollës së sapokryer të partisë, por edhe vetë themelet mbi të cilat është ngritur dhe parimet mbi të cilat funksionon shteti rilindës.
A thua njerëzit e cekët në mendim, batutaxhinjtë bajatë, personazhet artificialë që nga hiçi projektohen në majat e politikës dhe bufonët nuk janë më rilindësi apo rilindësja tipike?
Mos vallë në vend të një tiktokejere, youtubereje dhe vajze instagrami, do të preferohej një farmaciste që ka vite që u shërben qytetarëve, e cila ndoshta ndoqi modelin e fushatës derë më derë, duke u kërkuar votën pikërisht atyre që u ka shërbyer profesionalisht dhe i ka përfaqësuar politikisht?
Frika zgjati shumë pak; farmacistja dha dorëheqjen me një mesazh shumë domethënës.
Fushata e Zegjinesë paskësh qënë aq e “fuqishme” dhe kontributi i saj në fitore aq “domethënës”, saqë pa të nuk mund të mendohej kuvendi i ardhshëm i Shqipërisë!!!
Cilat janë në fakt mesazhet e vërteta të farsës elektorale të Fierit?
》Në Shqipërinë e Boratit nuk të bën më deputet karriera politike, personaliteti individual dhe profesional, diskursi politik, kontributi që jep në shoqëri, etj., por tekat e një të marri që ka 12 vjet që drejton.
》Deputet nuk të bëjnë takimet me njerëzit, fushata derë më derë, programet dhe idetë, por tiktoku, youtubi, facebooku dhe instagrami.
》Një “like” dhe një “share” kanë shumë më tepër vlerë se një ide politike, një program, një premtim apo një zotim.
》Sa më i cekët dhe bajat, sa më vulgar, aq më të larta janë gjasat për të ecur e bërë karrierë.
》Nëse bëhesh një kopje e shëmtuar e kryetarit, që tall e përqesh kundërshtarin, sidomos me humor bajat dhe kaps, në vend që të shpalosësh program dhe ide zhvillimore, rrugën e karrierës e ke të sigurt.
》Nëse përveç këtyre plotëson edhe parakushtet e pazëvendësueshëm, një narkotrafikant që të mbështet dhe ble vota për ty dhe një bandit që kërcënon votuesit dhe i orienton drejt teje, atëherë je i pathyeshëm.
》Nuk bën dëm as ndonjë komisioner ose numërues i “shkathët” që me një të rënë të lapsit të shton disa qindra vota sa për garniturë.
Pas shokut disa orësh, trushplarët që në 11 maj votuan sërish Boratin, mund të qetësohen.
Zgjedhja që kanë bërë do tu garantojë pikërisht atë që panë gjatë fushatës, tallje, karagjozllëk, kotësi dhe premtime boshe (madje edhe ato të pambajtura).
T’i gëzojnë boratët, zegjinetë, sarat…
I meritojnë…