Ballina Kulturë Nëpër labirintet filozofike të tregimeve të shkrimtarit të njohur, Fatmir Terziu

Nëpër labirintet filozofike të tregimeve të shkrimtarit të njohur, Fatmir Terziu

16
0

Nga Vlash Prendi 

Hyrje

Para pak kohësh mora vesh se shkrimtari Fatmir Terziu, mes shumë veprash të tjera që po boton, numri i të cilave i kalon të 50 – tat, kishte botuar edhe një vëllim me tregime mjaft të veçantë “Argumentum Baculinum” – “Argument shkopi”, nga SHB “Ura” Prishtinë. E sigurova, dhe e lexova me kenaqësi këtë vepër, të cilën e dashurova nga problematikat që trajton, stili i ri i të rrëfyerit nga autori dhe elementët edukativë, me të cilat përpiqet të transmetojë, ndaj nuk mund të mos reagosh.

Krijimi i një letërsie me një frymë të re

Ajo që të bie në sy në krijimtarinë e sotme, është se shkrimtarët dhe krijuesit pak merren me prozën e shkurtër, madje edhe kur merren trajtojnë tema të rëndomta, ecin në rrugë të shkelura, ku në shumë raste tema është reale dhe e njohur për lexuesin. Kjo nuk përbën risi në ditët e sotme, sepse krijimtaria letrare sot, duhet të kryejë të paktën dy funksione: Funksionin letrar dhe atë edukativ, sepse shoqëria e sotme para së gjithash ka nevojë të mësojë dhe edukohet përmes leximit dhe studimit të veprave letrare, që për hir të së vertetës sot janë të shumta, por roli i tyre edukativ është minimal.

Ajo që bie në sy në tregimet e shkrimtarit Fatmir Terziu, është fryma novatore, krijimi i një letersie me një frymë të re, është pasqyrimi i dukurive të reja, që lindin nga analiza filozofike e realitetit të sotëm. Novacioni në këtë rast lind në realitetin shoqëror, përshkruhet si domosdoshmëri e zhvillimit të ngjarjeve të sotme, shpesh edhe kaotike, të cilat shkrimtari i sheh ndryshe nga të tjerët dhe kërkon të mbajë qëndrim konseguent mbi zhvillimin e tyre. Autori i përshkruan bukur ngjarjet dhe mbi faktet e mbledhura ndërton subjektet artistike, duke thyer kornizat tradicionale të ndërtuarit dhe përshkruarit të ngjarjeve, përshkrimit të personazheve dhe ndërtimin e dialogjeve, falë talentit të veçante artistik të tij dhe pavarësisë së krijuar ndër vite nga jeta e rëndomtë shoqërore.

Është për t’u vlerësuar fakti, se këto kushte kanë përcaktuar në krijimtarinë e tij të re, zhvillimin e dukurive dhe të cilësive estetike, të cilat bëhen objekt pasqyrimi në krijimtarinë e tij. Disa nga tregimet e ndërtuara dhe përshkruara aq bukur nga autori, kanë si objekt dhe simbol shkopin, një gjetje artistike mjaft e bukur nga shkrimtari Terziu, sepse shkopi me të mirat dhe të këqiat e tij, i ka shërbyer njerzimit si realisht, ashtu edhe në menyrë metaforike. Thënë ndryshe, shkopi e ka ndihmuar njerzimin në moment të caktuara, por ka qënë edhe faktor negativ i zhvillimit shoqërorë dhe objekt i konsolidimit të diktaturave në shtete e vende të ndryshme. Kam lexuar tregime të shkrimtarëve tanë të shquar si Naum Prifti, Teodor Laço, Koço Kosta e ndonjë tjetër, shihja se struktura e prozës së shkurtër pak ndryshonte, duke përjashtuar fabulën rreth së cilës sillej tregimi, madje shpesh edhe tematika ishte e orientuar.

Nga Kafka tek Terziu

Vite të shkuara, ndërsa lexoja të madhin Franc Kafka me veprën e tij “Porta e ligjit”, dhe e krahasoja me tregimet e lexuara më parë, vija re ndryshime të qenësishme, më intrigonte përmbajtja ideore dhe filozofike që pasqyrohej në krijimet dhe tregimet e tij. Më paten mbetur të skalitura në mendje fjalët: “Në çastet përpara vdekjes i silleshin nëpër kokë gjithë ç’ka parë e dëgjuar viteve të pritjes e i mbështilleshin në një pyetje të vetme, që ende nuk ia kishte bërë portierit. I bën atij me shenjë t’i afrohet, se s’mund t’a lëvizë dot trupin e ngurosur. Portierit i duhet të përkulet thellë mbi të: – Hë, ç’do të dish tani? – e pyeti burri, – se ti je i pangopur. – Të gjithë duan t’i njohin ligjet, – thotë burri, – por, si ka mundësi që në gjithë këto vite, askush përveç meje, nuk deshi të hyjë brenda kësaj porte?

Këtu qëndron e vërteta, dhuna shtetërore, lindin dhe rriten diktaturat dhe mbi këtë bazë zhvillohet filozofia e të treguarit mjshtëror, siç ndodh edhe me tregimet e shkrimtarit të njohur Fatmir Terziu, të cilin mund t’a quajmë një Kafkë të kohëve moderne. E them këtë, për faktin se çdo dukuri e re që pasqyrohet në letërsinë e sotme, mund të kuptohet vetëm po të merret në lidhje të ngushtë me kushtet aktuale, material dhe shpirtërore të zhvillimit të shoqërisë sonë. Kështu, tek tregimi “Ujqërit e kanë fajin?”, autori e trajton temën me mjaft kujdes, me një frymë të re, thuajse tërësisht të munguar në prozën tonë të shkurtër. Është fryma dialektike që e tërheq shkrimtarin në këto tregime, sepse ai e kupton mire realitetin e sotëm, kupton kontradiktat që shfaqen aty – këtu në jetën e përditëshme, prandaj edhe krijimet e tij letrare i nënshtrohen hera herës ligjeve të zhvillimit, si formë e ndërgjegjes shoqërore. Prandaj shkrimtari në një moment të caktuar shprehet: “…Nuk e di pse, por thuhej se ai kishte mbetur duke ëndërruar, e duke ëndërruar me sytë e lodhur e kishte zënë gjumi mbi një yll, e kështu bagëtitë i kishte harruar në pyll. E në pyll ujqërit kishin bërë aheng. E ahengu kishte marrë gojët e miletit, dhe mileti kishte zaptuar odat me të thëna e të pathëna, që u zgjatën duke u treguar deri në këto kohë. E kishin trazuar mjaft. E më në fund kishin thënë njëzëri se “Ai nuk është bari! Nuk duhet të lihet në këtë detyrë! Dhe jo vetëm kaq?!“, duke konkluduar bukur me sentenceën “Ujqërit e kanë faji”. Kështu po na ndodh edhe në jetën e përditëshme, sepse ujqërit janë shtuar shumë, aq më tepër që tufat e bagëtive kanë mbetur pa bari dhe shkopi në dorën e popullit nuk po funksionon, sepse ai është në dorën e pushtetit që e përdor sipas deshirës.

Fryma filozofike dhe kritike në tregimet e shkrimtarit

Kjo frymë e re që sjell shkrimtari i shquar Fatmir Terziu në letërsinë tonë, ka ardhur si rezultat i ndryshimeve të thella në jetën shoqërore dhe politike, si dhe pikpamjeve të reja socialestetike, të cilat përbëjnë bazën e kërkimeve të reja letrare. Është trishtuese kur mendon se shkrimtarë të tillë me prirje filozofike si Kafka, Sartri, Spinoza, apo Kamy nuk lejohej të lexoheshin apo të studioheshin në të kaluarën, le pastaj të ndiqej rruga e tyre krijuese. Kjo ndodhte për faktin se ata kritikonin perms veprave të tyre sistemet borgjese në fuqi, fshikullonin pushtetet diktatoriale, demaskonin të pasurit dhe përkrahnin masat e gjëra popullore, përmes tregimeve filozofike perzier me sentenca humori.

Kështu e ndërton subjektin e tregimit të bukur “Qefaliëria e Qefaliut” edhe mjeshtri tregimtar Fatmir Treziu, i cili ka gërshetuar bukur tregimin popullor me tregimin filozofik. Këtë dukuri e sollën proceset e reja të zhvillimit shoqërorë, lufta për barazi dhe mbijetesë, siç ndodh me kërkesën e Qefaliut në rolin e mbretit dhe sherbetorëve që përpiqe me çdo kusht të zgjidhin enigmën:” …Kam nevojë për diçka që mbart aftësinë për të më bërë të lumtur, edhe kur jam i trishtuar, dhe të trishtuar kur jam i lumtur“. Është shërbëtori i tij më besnik që kërkon shpetimin tek dyqangjiu dhe siguron vulën me mbishkrimin “…dhe kjo do të kalojë”, duke pasqyruar një mësim sa filozofik aq edhe edukativ për mbarë njerzimin. Kur analizojmë objektin e pasqyrimit dhe rolin që ai luan në forcimin e frymës filozofike dhe kritike në tregimet e shkrimtarit Fatmir Terziu, të bie në sy jo vetëm tematika e larmishme, por edhe menyra e re e përshkrimit të ngjarjeve, larmia e personazhëve, përdorimi i fjalëve të reja duke pasuruar në menyrë të dukshme leksikun tone, përdorimin me kujdes të figurave stilistike gjë që e bëjnë vëllimin me tregime mjaft interesant.

Lexuesi i kujdesshëm, do të verë re se autori krijon një galeri të pasur personazhesh interesantë, madje duke sjellë diçka të re në letërsinë tone. Ai qëndron larg emrave, por afër tipeve dhe profesioneve siç është zonja Tirë, shkruesi, tregëtari, sherbëtori të cilët kanë emra, por dëshira e tij është ti tipizojë dhe përgjithësojë personazhët që ato të përfaqësojnë masën e madhe të popullit dhe të pasqyrojë problemet e shumta që kanë në jetën e përditëshme.

Përshkrimi me nota sarkastike

Një dukuri tjetër me mjaft rendësi në këto tregime është edhe përshkrimi i disa prej tyre me nota sarkastike. Kjo menyrë trajtimi i bën tregimet më interesante dhe tërheqëse, sidomos kur autori, tashmë i sprovuar në trajtime të tilla vë në lojë dukuri negative të personalitetit dhe moralit të njeriut të sotëm si paaftësia, mendjemadhësia, fodullëku etj. Duke lexuar tregimin “Bilbili dhe Bulkthi”, të bie në sy trajtimi me mjaft kompetencë i shumë dukurive që ndodhin sot në jetën e përditëshme sidomos sa i përket paaftësisë për të arritur një synim të caktuar. Koncerti që përpiqen të organizojnë Bilbili dhe Bulkthi me ndihmën e Çafkës dështoi, ashtu siç ndodh sot në ditët tona. Edhe tek tregimi i gjatë “Linkolni nën Çinar”, autori përmes personazhit të Emetorit, sjell para lexuesit frymën perendimore, personazhet e botës demokratike, për të cilët janë gjykuar dhe dënuar shumë personalitete në të kaluarën. Pikërisht, këtë dukuri negative dënon me forcë autori përmes tregimit, duke shprehur edhe indinjatën për këto ndodhi dhe veprime negative.

Duke shfletuar me kujdes dhe duke lexuar me endje këtë vëllim të bukur me tregime të autorit Terziu, mund të konstatohet se autori i ka kushtuar vemendje të vacantë edhe tregimeve me temë meditative – psikologjike, duke u perqendruar në analizën psikologjike të fakteve dhe ngjarjeve të cilat autori i përshkruan me kujdes duke nxjerrë shpesh edhe përfundime dhe konkluzione. Tregime të tilla si “Autofobi”, “Lej…lekë”, “Pesha e lotit tjetër” etj, dallohen për një subjekt të qartë, konkret, ku analizat psikologjike i paraprijnë rolit edukativ që konkretizojnë personazhët perms lëvizjeve, bisedave dhe komunikimit. Edhe subjektet e këtyre tregimeve janë ndërtuar në atë menyrë që tharmin e tyre autori nuke ka bazuar në përshkrime apo kendvështrime të ngushta të fateve të personazheve, por duke patur parasyshë marredhëniet shoqërore në realitetin e sotëm.

Duke kokluduar

Natyra e subjekteve tek ky vëllim, ashtu sikurse tek tregimet “Të gjithë kemi hedhur gurë”, “Vija e sekretit të jetës”, “Përtej asaj mjegulle” e ndonjë tjetri, përcaktohet nga rendësia shoqërore e brendisë, por edhe nga karakteri thellësisht jetësorë që pasqyron, duke mos harruar edhe mishërimin artistik të autorit të cilit i jep mundësi të zbërthejë mire karakteret e personazheve dhe të pasqyrojë bukur idetë artistike.

Duhet theksuar se këto tregime, të cilat unë do ti quaja psikanalitike dallohen për analizën materialiste dialektike dhe lidhjen shkak – pasojë, marrdhënieve të veçanta me realitetin dhe percaktimin e karaktereve të personazheve letrarë dhe jetësorë, sepse shumica e ngjarjeve që ndodhin në tregime, janë shpjeguar si pasojë e rrethanave ekonomiko – shoqërore që ndodhin në realitet në vendin tone.

Synimi i autorit për t’i dhënë tablo më të gjëra jetës shoqërore dhe për të vlerësuar botën e brendëshme të personazheve, kanë ndihmuar autorin të sjellë para lexuesit si gjithnjë vepër mes veprave të tij, të tilla me vlera të rendësishme për letërsinë tonë, duke krijuar një vepër të veçantë në llojin e vet, që shpresojmë të mos jetë e fundit.