Në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, Policia e Durrësit ka liruar hapësira publike në plazhin e Kepit të Rodonit, duke hequr dhe sekuestruar 85 komplete çadra dhe shezlongë të vendosura në mënyrë të paligjshme. Policia thotë se ka vënë nën hetim një 59-vjeçar nga Tirana, që i kishte vënë në mënyrë të paligjshme.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet gjatë sezonit veror, njofton policia.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe subjektet që të respektojnë hapësirat publike dhe të mos ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në to, pasi çdo shkelje do të pasojë me masa administrative dhe penale, sipas ligjit.