Ballina Opinion Aruba, ‘another brick in the wall’

Aruba, ‘another brick in the wall’

15
0

Nga Oerd Bylykbashi*

Bujë të madhe ka shkaktuar dalja në publik e një takimi në ishullin karaibik të Arubas në 2019 mes përfaqësuesve të karteleve të drogës dhe përfaqësuesish të lartë të qeverisë në pushtet asokohe në Tiranë.  Pra qeverisë së Ramës.

Por takimi i Arubës është vetëm një tullë në ngrehinën e narkoshtetit të Ramës. “Another brick in the wall” (Një tjetër tullë në mur) është një titull famshëm i Pink Floyd.

Është së paku hera e tretë para dy ditësh që përfaqësuesit më të lartë diplomatikë amerikanë në Tiranë bejnë deklarata për nevojën e luftës pa kompromis ndaj karteleve të drogës, si një prioritet i politikës së Presidentit Trump që po i përcakton ato kartele si terroriste. Angazhimi që kërkojnë amerikanët është të shkatërrohen “strehët e sigurta” të këtyre karteleve në Shqipëri. Pra Shqipëria e para dhe e pas 11 majit 2025 është strehë e sigurt e karteleve të drogës dhe kjo mesa duket cenon edhe sigurinë e SHBA-ve.

Shqipëria nën qeveritë Rama 3 dhe 4 është strehë e sigurt për kartelet. Zhdukja e tyre bën më të sigurt SHBA-të dhe agjensitë ligjzbatuese amerikane mund të ndihmojnë në shkatërrimin e tyre. Kjo nuk është ofertë. Është këmbanë.

Ka një themel solid në këtë ngrehinë kriminale të narkoshtetit: pakti i Ramës me krimin në 2013 për të ardhur në pushtet e për ta mbajtur bashkë me ta. Ata blejnë vota në shkëmbim të aksesit në pushtet politik dhe ekonomik si dhe imunitet nga ndjekja e agjensive ligjzbatuese të huaja. Pra, strehë e sigurtë.

Në 2013 Rama erdhi në pushtet me pakt me kriminelët. Ata e ndihmuan në bastionet e PD-së, kurse ai bëri 19 prej tyre deputetë e disa i bëri kryetarë bashkish. Na u desh të bënim në 2015 ligjin e Dekriminalizimit për t’i larguar nga funksionet kriminelët që solli Rama, i cili e quajti ligjin si antikushtetues.

Ne 2015, ODIHR dha një rekomandim për herë të parë për shitblerjen e votës. Pakti po jepte fryte. Por shitblerja nuk ishte ende shqetësim prioritar në zgjedhje. Sa kishte filluar të bëhej problem.

Në 2016, një diplomat shumë i lartë, aktualisht jashtë shërbimit diplomatik, në kulmin e kanabizimit më thoshte se “Kanabisi nuk përbën shqetësim për ne sepse nuk vjen deri tek ne”. Përgjigja ime, pas habisë legjitime, ishte se “Me kanabisin bandat do të pasurohen, organizohen e sofistikohen, do kalojnë tek heroina e kokaina, dhe këto i sjellin më lehtë tek ju sesa kanabisin, se janë sasi të vogla me vlerë shumë më të lartë”. Atë vit BBC raportonte se trafiku i kanabisit nga Shqipëria arrinte vlerën 5 miliardë Euro. Pas gati 10 vitesh Shqipëria përbën më shumë se një shqetësim për SHBA.

Në 2017, një vit më pas, ODIHR vuri alarmin me rekomadimin kryesor se shitblerja e votës ishte problemi më i rëndë në zgjedhje. Të gjithë e kujtojnë se si bandat ishin në krah të Ramës në ato zgjedhje. Përgjimet e dosjes 339 të Prokurorisë së Krimeve të Rënda provuan që bandat ndikuan në vendosjen e kandidatëve në renditje fituese në qarkun e Durrësit. Listën e kandidatëve ku përfshiheshin ushtarët e bandave e firmosi Rama.

Në 2018 Rama deshi të ndryshonte ligjin që për të ekstraduar trafikantët duhej t’u merrej paraprakisht pëlqimi atyre dhe, nëse ishin dënuar, shtetet kërkuese duhej të garantonin ribërjen procesit gjyqësor. Pra Shqipëria bëhej strehë edhe më e sigurt.

Në 2019, përfaqësues të lartë të qeverisë Rama  qenkan takuar me përfaqësues të karteleve të kokainës në ishullin karaibik Aruba. Agjencitë antimafia e antidrogë më prestigjioze i kanë përgjuar. Ndërkohë që OSBE e BE bënin tryeza të rrumbullakta për zgjedhjet e 2019, Rama dhe kartelet ishin shtruar këmbëkryq rreth “sofrës së rrumbullakët” ku shqyheshin thela zgjedhjesh në këmbim të pazareve për pushtet.

Në 2021 hetimet e Antimafias italiane ekzekutuan operacionin “Basso profilo” (Profil i ulët) ku doli sheshit bashkëpunimi i mafies kalabreze Ndrangheta me mafien shqiptare. Në përgjime dilte lidhja e mafies me eksponentë të lartë të qeverisë shqiptare. Ndrangheta kalabreze kishte gjetur rrugën për të marrë leje ndërtimi për kulla shumëkatëshe në Tiranë dhe kërkonte persona që kishin marrë leje për kulla por kishin nevojë për financim.

Zgjedhjet e 2021 sërish kishin kryefjalë shitblerjen e votës nga organizatat kriminale për llogari të Ramës. Sërish ODIHR e renditi si problem kryesor. Sërish përgjimet nxorrën organizatat kriminale në Durrës që garonin se kush do të fuste në listë të sigurt të PS-së ushtarët e vet. SPAK-u vazhdonte narkozën e kontrolluar.

2021 – 2025 shpërthyen kullat gjigante në Tiranë. 80% e investimit nuk vjen nga bankat thotë një investigim gazetaresk. Kujtesë: përgjimet e “Basso profilo” treguan se Ndrangheta kërkonte leje për kulla në Tiranë për të shplarë paratë e saj kriminale. Lejet firmosen nga kryeministri.

Në zgjedhjet e 2025 roli i karteleve të drogës përkrah Ramës është katastrofik. Kanë bërë garë jo vetëm për të vënë emra në listë, por për t’i nxjerre me aq vota sa nuk i ka marrë kurrë as vetë Rama kryeministër.

Sugjerim: kërkoni përmbledhjen e konkurseve arkitekturore të organizuara nga Rama në krye të bashkisë së Tiranës në vitet 2005-2007. Aty i keni të gjitha kullat që janë ndërtuar sot ne Tiranë e madje aty janë edhe të tjera që pritet të ndërtohen.

20 vite më parë Rama planifikonte atë që po ndodh sot. Avokatët e tij do ta quanin menjëherë “vizionar”. Por, pyetja është: Si e imagjinoi ai burimin e financimit të atyre kullave në 2005 kur Shqipëria nuk i kishte ato para? Të gjithë kujtojme se ndonjë kullë që nisi asokohe ngeci në vend dhe bumi i kullave plasi vetëm pas 2013 kur pakti me mafian dha frutet. Madje në vitet 2005-2007 qeveria Berisha futi në burg me dënime afatgjata kapobandat që filluan të liroheshin pas ardhjes në pushtet të Ramës në 2013.

Pjesë e vizionit të 2005 (kur Rama mori PS nën kontroll), i pashkruar por i dukshëm si kullat e larta, duket të ketë qenë financimi nga paraja e drogës së karteleve.

Por, a është burimi i financimit vetëm paraja e drogës së karteleve shqiptare? Ambasada e SHBA flet për krim transnacional, dhe nuk flet më thjesht për banda apo organizata kriminale por për kartele që kanë “strehë të sigurt” në Shqipëri.

Takimi në Aruba, në oborrin e karteleve latino-amerikane, çështja “Basso profilo” e Ndrangheta kalabreze (mafia më e pasur), vizita në kryeministri e një eksponenti kartelesh, marrja e portit të Durrësit nën kontroll nga karteli më i fuqishëm i kokainës në rajon, të gjitha tregojnë që kullat shpesh janë lavatriçe të karteleve ndërkombëtare. Ato tashmë kanë futur kthetrat në ekonominë, politikën dhe organet ligjzbatuese shqiptare dhe nëpërmjet shitblerjes  së votës, edhe në lirinë tonë për të vendosur qeverisjen e vendit.

Një prokuror amerikan me detyrë të rëndësishme në Tiranën e 2016 më tha asokohe: “Duhet kujdes në luftën me bandat se mund të shpërtheje si në Meksikë”. Mu duk çudi por besova që dinte më shumë se unë. Atëherë flitej ende për banda, ndërsa sot janë kartele dhe ai paralajmërim tingëllon edhe më ogurzi.

Më herët, në 2015 e kanabizimit, një përfaqësues i një organizate ndërkombëtare rrëzoi krahasimin e Shqipërisë me Italinë e viteve ‘70-‘80 të shekullit të shkuar. “Në Itali janë vrarë gjyqtarë, prokurorë, policë, karabinierë, e madje edhe pokitikanë e gazetarë që luftuan mafian. Këtu në Shqipëri janë në marrëveshje.” – më tha ai.

“Politika dhe mafia janë dy pushtete që jetojnë për të kontrolluar të njëjtin territor: Ose bëjnë luftë me njëri-tjetrin, ose bien dakord” thoshte prokurori i famshëm antimafia Paolo Borselilno që u vra në verën e 1992 pak pas Giovanni Falcone. Rama ka zgjedhur të dytën. Madje ka caktuar edhe koordinator për këtë punë.

Mund të ketë diplomatë apo eurokratë që thonë se Shqipëria është në krye të vrapimit. Po, por në drejtimin e gabuar. Duke huazuar një titull të AC/DC, sa më sipër tregon se po udhëtojmë me shpejtësi në “Highway to Hell” (Autostradën për në Ferr).

Ka ardhur koha për Denarkosizim. Dekriminalizimi nuk mjafton më.

Qëndrimin e amerikanëve se duhen shkatërruar kartelet dhe strehat e tyre të sigurta, duhet ta shohim me optimizëm. Fundja, në Karaibe, jo larg nga ishulli Aruba, kanë fundosur tre anije të karteleve amerikano-latine. Dhe, më shumë Evropë, jam i sigurt që do të thotë gjithashtu  më pak hapësirë për kartelet dhe paktet e Ramës me to. Por është betejë e vështirë që fillon me të pranuarin se ky është Narkoshtet që duhet çmontuar.

*Titulli shqip: Aruba, tjetër tullë mbi mur