Ballina Opinion Si mund ta mundte opozita Edi Ramën?

Si mund ta mundte opozita Edi Ramën?

33
0

Nga Namir Lapardhaja 

Zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike janë treguesi më i qartë se ajo është një parti që e ka humbur besimin se mund ta fitojë një garë përballë Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.

Pavarësisht retorikës së saj, fitorja nuk është çështje numrash, por cilësie politike, nuk ka të bëjë me retorikën e egër të fjalimeve, me sharjet dhe akuzat, por, pikë së pari, duhet besueshmëri, moral dhe alternative, të cilat, me sa duket, i mungojnë.

Shqiptarët e jetojnë përditë Shqipërinë, i dinë problematikat e saj, janë koshient edhe për korrupsionin që ekziston, po rata nuk kanë besim dhe shpresë që ata që akuzojnë qeverinë për këto gjëra janë ndryshe asaj, ndaj edhe nuk ngrihen as për të reaguar, as për të bërë ndryshimin.

Në një farë kuptimi, vendi ndodhet përballë paradoksit ku opozita as nuk e bën dot ndryshimin, ashtu sikurse ka zënë rrugën edhe për formacione të tjera për ta bërë një gjë të tillë.

Ndaj që opozita dhe veçanërisht PD të ketë mundësi për garë dinjitoze dhe të realizojë rotacionin politik, së pari, duhet të rregullojë vetveten. Të shpëtojë nga pengmarrja, nga hijet e korrupsionit dhe nga lidershipi që e mban peng. Të krijojë një fizionomi të re politike me njerëz të pakonsumuar, me një ligjërim të ndershëm dhe realist, që nuk ushqehet me urrejtje dhe paranoja, por me ide dhe vërtetësi.

Nëse opozita do të mundë Ramën, duhet në fillim të mposhtë veten: të ndajë të ndershmit nga të korruptuarit, progresistët nga regresivët, dhe europianët nga ata që shohin politikën si mall pazari.

Sepse sa kohë që Sali Berisha është problemi dhe jo zgjidhja, sa kohë që opozita rrotullohet rreth figurave të konsumuar, Rama nuk ka pse të frikësohet. Ai mbetet në pushtet jo vetëm nga forca e tij, por sidomos nga gjendja e kundërshtarëve, të cilët nuk kanë as dëshirën më të vogël për të ndryshuar, rrjedhimisht as për të fituar.