Ballina Opinion Pogradeci: Nga “qytet tranzit”, në paketat turistike të Shqipërisë

Pogradeci: Nga “qytet tranzit”, në paketat turistike të Shqipërisë

31
0

Nga Eduard Zaloshnja

Prej vitesh, agjencitë më të mëdha turistike në vend e kanë trajtuar Pogradecin si qytet tranzit, ndërsa shumë rrallë e kanë përfshirë në paketat e tyre disa ditore.

Për të ndryshuar këtë realitet, në qytetin liqenor u zhvillua këtë të shtunë një takim mes Unionit Turistik Shqiptar, përfaqësuesve të agjencive turistike dhe Bashkisë së Pogradecit, ku u kërkua që qyteti të zërë më në fund vendin që meriton në ofertat kombëtare të turizmit.

Drejtuesit e agjencive pranuan se Pogradeci është anashkaluar ndër vite, por theksuan se do të ndërmarrin të gjitha hapat për ta përfshirë në paketat disa ditore duke nisur nga viti 2026.

Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, tha se objektivi afatmesëm është që në vitin 2027 të shfrytëzohet aeroporti i Ohrit për të sjellë turistë të organizuar me charter, duke e kthyer Pogradecin dhe gjithë rajonin në një qendër të qëndrueshme turizmi.

Nga ana tjetër, Kujtim Dervishi nga Unioni i Bujtinave dhe Restoranteve Shqiptare theksoi se Pogradeci i ka të gjitha mundësitë akomoduese dhe gastronomike për të pritur turistë në qëndrime disa ditore, por ka munguar vëmendja e qeverisë dhe Ministrisë së Turizmit për zhvillimin e këtij potenciali. Dervishi vlerëson potencialin që ofrojnë bujtinat dhe restorantet lokale për një turizëm të qëndrueshëm. Sipas tij, problemi kryesor ka qenë mungesa e mbështetjes institucionale dhe investimeve në këtë sektor.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, nënvizoi se bashkia do të mbështesë çdo nismë që nxit turizmin e qëndrueshëm dhe do të bashkëpunojë ngushtë me agjencitë për të garantuar rritjen e netqëndrimeve të turistëve në qytet. Xhakolli u shpreh se bashkia është e vendosur ta kthejë Pogradecin në një destinacion të plotë pushimesh. Ai shtoi se bashkëpunimi me agjencitë dhe bizneset lokale do të jetë çelësi për zhvillimin e turizmit disa ditor

Sipas të dhënave zyrtare, në periudhën janar-gusht 2025, në hotelet e Pogradecit janë akomoduar 95.528 persona, prej të cilëve 18.314 turistë të huaj, rreth 6 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024.