Zyrtarët e Beogradit dhe Moskës e kanë nënshkruar të hënën një memorandum për thellimin e bashkëpunimit midis kryeqyteteve të Serbisë dhe Rusisë.
Dokumenti u nënshkrua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Moskës në Beograd”.
Serbia, e cila thotë se synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, vazhdon të jetë një nga partnerët e paktë evropianë të Kremlinit edhe pothuajse katër vjet pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të fqinjit të vet, Ukrainës.
Memorandumi i Bashkëpunimit midis kryeqyteteve të Serbisë dhe Rusisë u nënshkrua nga presidenti i Asamblesë së Beogradit, Nikolla Nikodijeviq, dhe ministri i Qeverisë së Moskës dhe shefi i Departamentit për Ekonomi të Jashtme dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Sergey Cheryomin.
Nikodijeviq deklaroi se memorandumi duhet të mundësojë bashkëpunim të mëtejshëm në fushat e transportit, kulturës, arsimit dhe sportit.
“Është shumë e rëndësishme për ne që një qytet kaq i madh si Moska, një nga qytetet më të mëdha evropiane, dëshiron të ketë bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Beogradit”, tha ai në një konferencë për shtyp.
“Unë besoj se memorandumi që nënshkruam sot do të jetë njëfarë ‘bilete hyrëse’ në tregun rus për shumë nga biznesmenët tanë, por edhe se Beogradi dhe Serbia do të sigurojnë kështu investime të reja nga Rusia”, tha Nikodijeviq.
Nikodijeviq vlerësoi se memorandumi i mëparshëm dhjetëvjeçar i bashkëpunimit kishte përmirësuar marrëdhëniet midis dy kryeqyteteve.
“Në të njëjtën kohë, në këtë mënyrë ne ‘ua hapëm derën’ biznesmenëve tanë që kishin bashkëpunim me kompani nga Moska dhe e gjithë Rusia”, shtoi ai.
Zyrtari i Moskës Sergei Cheryomin kujtoi ngjarjen e parë “Ditët e Moskës në Beograd” në vitin 2016.
Një vit më vonë, në kryeqytetin rus u mbajtën “Ditët e Beogradit në Moskë”.
“Situata politike në vitet e fundit nuk na ka lejuar të vazhdojmë me të njëjtën frymë, por falë përpjekjeve të qytetit të Beogradit dhe klimës së favorshme që mbizotëron këtë vit, ne po e ripërtërijmë këtë traditë”, tha Cheryomin.
Memorandumi i Bashkëpunimit midis kryeqyteteve u nënshkrua në 81-vjetorin e çlirimit të Beogradit nga pushtimi nazist në Luftën e Dytë Botërore.
Qyteti u çlirua bashkërisht nga forcat e Ushtrisë së Kuqe Sovjetike dhe Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Jugosllavisë. / REL