Ballina Kulturë Publikohet traileri i sezonit të pestë: “Emily në Paris” zhvendoset në Romë

Publikohet traileri i sezonit të pestë: “Emily në Paris” zhvendoset në Romë

139
0

Të mërkurën, më 22 tetor, Netflix publikoi një video të shkurtër për sezonin e ardhshëm të pestë të serialit të njohur, ku shohim zhvillimin e marrëdhënies midis Emily Cooper (Lily Collins) dhe Marcello (Eugenio Franceschini), teksa ajo shijon jetën e re në Romë.

“E nisim me një grua të bukur. Pranë saj, një burrë. Është e qartë se ata njihen mirë,” dëgjohet një zë në videon promovuese, ku shfaqen Emily dhe Marcello duke u afruar gjithnjë e më shumë. “Të paaftë për t’i mbajtur duart larg njëri-tjetrit, ata më në fund ndajnë një puthje.”

Në klip shohim gjithashtu Marcello-n që i prek lehtë këmbën Emily-t gjatë një darke, i buzëqesh gjatë një udhëtimi me makinë dhe momentet e ëmbla që ndajnë bashkë në shtrat (khëm-khëm).

“Roma të shkon shumë,” i thotë mikja e saj më e mirë, Mindy Chen (Ashley Park).

Pjesa tjetër e videos sjell pamje nga udhëtime luksoze me jaht, festa të zhurmshme dhe, si gjithmonë, diskutime për punën.

“Nëse jemi të gjithë këtu, kush ka mbetur në Paris?” pyet Julien (Samuel Arnold) kolegët e tij, ndërsa trailer-i përfundon me fjalët “Emily në Romë” që shfaqen në ekran.

Sezoni i pestë ndjek historinë midis Emily-t dhe Marcello-s, e cila nisi sezonin e kaluar kur ajo u transferua në zyrën e Agence Grateau në Romë.

Përveç kastit të rikthyer, Park, Collins, Franceschini, Arnold dhe të tjerë, sezoni i ri i shton emrat Bryan Greenberg, Michèle Laroque dhe Minnie Driver.

Sezoni i pestë i Emily in Paris do të shfaqet premierë në Netflix më 18 dhjetor.