Nga Dashnor Kaloçi
Në mesin e muajit tetor të vitit 1982, menjëherë pas arrestimit të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiu (asokohe ministër i Mbrojtjes Popullore) dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehu, (asokohe ministër i Brendshëm, arrestuar më 22 mars 1982), me porosi të Enver Hoxhës dhe me urdhër të Hekuran Isait, u krijua Grupi Operativ Special, në krye të të cilit ishte zv/ministri i Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht drejtor i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, ku si ndihmësa të tij, ishin Enver Zeneli dhe Hasan Ulqinaku. Detyra kryesore e këtij grupi, ishte; “Zbulimi dhe hetimi i veprimtarisë së grupit armiqësor”, të kryesuar nga Kadri Hazbiu, ku bënin pjesë edhe Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Fiqret Shehu, etj., si dhe lidhjet që ata kishin pasur me ish-kryeministrin Mehmet Shehu.
Përveç detyrave të tjera, siç ishin; rishikimi, studimi dhe analiza e një numri të madh dosjesh dhe dokumentesh arkivore, që i përkisnin një periudhe të gjatë kohe (1945-1982), “Grupi Operativ Special”, u bëri thirrje dhe u kërkoi edhe disave prej ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes së PPSH-së dhe ish-kuadrove të lartë drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, oficerëve të Sigurimit të Shtetit, etj., që të jepnin me shkrim, ato që ata dinin apo kishin dyshime, lidhur me “veprimtarinë armiqësore”, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, apo dhe personave të tjerë, me të cilët ata i kishte lidhur puna apo jo, gjatë periudhës që ata kishin shërbyer pranë asaj ministrie, apo në Degët e Brendshme në rrethe, në sektorin e Zbulimit Politik, pranë përfaqësive tona diplomatike të akredituara në shtete të ndryshme të botës, etj.
Ashtu siç kishte bërë që nga viti 1945, pothuaj me të gjithë “grupet armiqësore”, ku shumë bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, ish-funksionarë të lartë partiakë dhe shtetërorë, si; Koxi Xoxe, Nako Spiro, Kristo Themelko, Pandi Kristo, Nesti Kernexhi, Tuk Jakova, Dali Ndreu, Liri Gega, Panajot Plaku, Koço Tashko, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Koço Theodhosi, Abdyl Këllezi, Fiqret dhe Mehmet Shehu, etj., i kishte akuzuar si “agjentë të UDB-së”, edhe të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”, Enver Hoxha nuk do t’ua kursente aspak atë akuzë. Nisur nga kjo, Grupi Operativ Special me në krye drejtorin e Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizin, që u ngrit menjëherë pas arrestimit të Kadri Hazbiut në tetorin e vitit 1982, nisi menjëherë nga puna për studimin e dosjeve arkivore në ngarkim të ambasadës jugosllave në Tiranë, duke i shikuar dokumentet që i përkisnin atij “objekti”, që nga viti 1945.
Për përzgjedhjen dokumenteve në fjalë dhe përgatitjen e një raport-informacioni të hollësishëm që do i vihej në dispozicion Grupit Operativ Special dhe më pas grupit të hetuesisë speciale me në krye Pelivan Luçin dhe Thoma Tutulanin që do të zhvillonte procesin hetimor ndaj “Grupit armiqësor të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut”, u caktua hetuesi i Sigurimit të Shtetit, Shkëlzen Bajraktari, (pjesë e atij grupi hetimor), i cili për shkak të origjinës së tij nga rrethi i Tropojës, pre supozohej se do i njihte më mirë “agjentët e UDB-së” dhe dosjet në ngarkim të tyre. Në këtë kuadër, bën pjesë edhe ky dokument arkivor i cili është nxjerrë nga Arkivi Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), i cili po publikohet i plotë në këtë shkrim bashkë me faksimilet përkatëse, nga Memorie.al
DOKUMENTI SEKRET I HARTUAR NGA HETUESI I SIGURIMIT TË SHTETIT, SHKËLZEN BAJRAKTARI, PËR VEPRIMTARINË ARMIQËSORE TË AMBASADËS JUGOSLLAVE NË SHQIPËRI NË PERIUDHËN 1945-1983, “AGJENTURA” E TYRE DHE PËRGJIMET E DIPLOMATËVE TË SAJ
Sekret
Ekzemplar i vetëm
Tiranë, më 7.2.1983
INFORMACION
Në bazë të hetuesit Shkëlzen Bajraktari, nga data 4.2.1983, deri më datën 5.2.1983, u studiua dosja e objektit të ambasadës Jugosllave, të degës së II-të të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit. Nga studimi i kësaj dosje, tërheqin vëmendje këto momente kryesore:
Lista e personave jugosllavë që janë marrë me veprimtari spiunazhi ndaj vendit tonë 1945-1950 – (faqe 141)
Në relacionin mbi Janko Havllaçeku (faqe 147).
“….Janko ka kërkuar të dojë se ku është me funksion Behar Shtylla, Hysni Kapo, nëse është arrestuar Nesti Kerenxhi, nëse do të nisesh ndonjë delegacion tregtar në Jugosllavi dhe ç’përshtypje ka bërë në popull; nëse dinte për një trakt që kanë hedhur ku flitet për Enver Hoxhën…”!
– Relacioni mbi Sekretarin e parë të legatës Jugosllave në Tiranë Drago Flis, përpiluar më 29.3.1954 nga Rexhep Kolli, ku kërkohet që Drago Flis, të mos vijë më në Shqipëri, sepse është kuadër Zbulimi, (faqe 151). Mehmet Shehu ka vënë këtë shënim. “D. II. U pa. Nuk mund të ndalohet ardhja e tij. Kur të vij, të përpunohet aktivisht”.
– Në relacionin e datës 10.9.1956, (faqe 152), “Mbi veprimtarinë armiqësore të Arso Mulatoviq”, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, thuhet: “…Më datën 20.1.1957, Arso Mulatoviq, duke kaluar me makinën e tij për në Jugosllavi, gjatë rrugës për në qytetin e Shkodrës, merr në makinë dy katundarë, të cilët i pyet: “A ju vjen Sadik Bocaj në Grilë dhe si ju duket, a është ndonjë farë burri, si e trajton popullin e Vrakës”?
– Në relacionin e këshilltarit të ambasadës jugosllave, Millorat Komatina, datë 15.X.1975, faqe 208, thuhet: “…Gjatë kontakteve me agjenturën, Millorat Komatina është interesuar për kryerjen e zboreve ushtarake në Universitetin e Tiranës, për shkarkimin e rektorit të Universitetit për masat e marra ndaj Fadil Paçramit e Todi Lubonjës.
Gjithashtu është interesuar për shëndetin e Udhëheqësit kryesor të Partisë dhe udhëtimin e Ministrit të Shëndetësisë urgjent për në Francë….ndërsa në takim me diplomatë të vendeve të ndryshme është interesuar për gjendjen dhe ndryshimet në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, shkarkimin e Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos dhe personat kush do t’i zëvendësojë”!
Dosja 3/1
Në informacionin e datës 24/1.1973, (faqe 6), “Mbi bisedat e ambasadorit turk Erxhyment Tataragas dhe Atasheut të kësaj ambasade, Beqir Ersa, rreth miqësisë që kanë patur me Sekretarin e II-të të ambasadës Jugosllave në Shqipëri, Stojançe Stojnçiç, ndërmjet të tjerave, theksojnë: “…një muaj para se të bëhej stërvitja ushtarake në Shqipëri, thotë ambasadori turk, ai (Stojnçe), dinte datën ekzakt se kur do të fillonte ajo dhe sa ditë do të vazhdonte…ai (Stojnçe) i kishte të dhëna të sigurta edhe për udhëtimin e Kryeministrit (M. Shehut) për në Francë, bile edhe datën ekzaktë të nisjes së tij për në Paris”.
– Në informacionin Nr. 58, (faqe 136), ambasadori turk, Tataragos, para B.p. “Aeroporti”, është shprehur: “….ku është Ministri i Mbrojtjes, kush është tani Ministër Mbrojtje, flitet se Ministër Mbrojtje do të emërohet ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm”!
– Në informacionin Nr.74, datë 22.11.1974, (faqe 139), këshilltari i ambasadës Jugosllave, Millorat Komatina, një burimit tonë, i ka thënë; “kemi dëgjuar se edhe Hito Çako, është bashkëpunëtor i Beqir Ballukut…kemi dëgjuar se edhe Petrit Dumja, nuk është në pozita të mira, i kanë hequr rojën dhe shoferin. Flitet gjithashtu se edhe ndërmjet udhëheqësve kryesorë të Partisë dhe të Shtetit, marrëdhëniet nuk janë të mira.
Kryeministri me Hysni Kapon, nuk i kanë punët mirë. Edhe Beqir Balluku ka pasur fërkime me Kryeministrin. Këtu duhet të ketë diçka serioze, ndoshta ndonjë gjë që ka të bëjë me Kinën, sepse atasheu ushtarak kinez, u largua pa pritur nga Shqipëria. Flitet për Beqir Ballukun se ka qenë në shërbim të Bashkimit Sovjetik”.
– Në analizën e datës 29.8.1975, (faqe 168), “Mbi veprimtarinë armiqësore të Ambasadës Jugosllave kundër vendit tonë gjatë viteve 1971-1975”, përgatitur nga Feçor Shehu dhe Kadri Hazbiu, në fund kanë vënë këtë shënim: “E studiova materialin. Më duket se është fryt i një analize të mirë të punës – i rrahur mirë nga ana politike dhe ideologjike, e sidomos përshkohet nga një gjykim i mirë profesional. Mendoj se:
Në informacionin e TO, Nr. 55, datë 14.2.1977, midis disa pjesëtarëve të ambasadës jugosllave, Qemal dhe Nexhmije Muhaxherit, Ranko dhe Senko Markoviçit, e Shaban Hysenit, thuhet se: “…..Mehmet Shehu është cilësuar gjithnjë e më shumë si njeri i devotshëm dhe besnik e i aftë për të qenë në Udhëheqje të Partisë, të cilin Koci Xoxe dhe Pandi Kristo e kishin cilësuar si njeri që nuk kishte aftësira, krahas mendimeve dhe shprehjeve që e kishin lidhur me Enverin, si personin kryesor, Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë,….Mehmeti i duhej Enverit, si njeri i njohur në vendin e tij dhe si strateg me përvojë të Luftës së Spanjës.
Prandaj ai do të bënte çmos që Mehmeti ta mbështeste për ta ngritur në një post Udhëheqës dhe përkrahës të tij. Këtu konsiston qëndrimi i Mehmetit në anën e Enverit. Mehmeti deri më 1948, nuk ka qenë as anëtar i Komitetit Qendror të Partisë….është i fortë, strateg i madh, me t’u formuar Brigada e Parë Sulmuese, Mehmeti u emërua komandant i saj dhe u dallua në beteja e në luftime të shumta kundër gjermanëve….Ranko më ka pas thënë dikur, se faktori kryesor që fitoi Enveri, ishte Stalini, qëndrimi i tij kundër nesh,…Enveri ishte gati në humbje, pothuaj i vetmuar, po ishte letra e Komitetit Qendror të Partisë ruse, dërguar Komitetit Qendror të Partisë që e shpëtoi atë.
Përndryshe gjendja ishte pothuaj në dorën e Kocit dhe të Pandit. Plot një vit kishte Enveri që nuk përfillej, qëndronte i vetmuar dhe i izoluar, por ja që ndodhi Stalini që e shpëtoi,…tërë qëndrimi i Kocit dhe i Pandit, gjatë gjithë kohës së zhvillimit të gjendjes, kishin sjellë në izolim Enverin, po sikur të ishte teksti i tij ndryshe, që të mos sillte vrasjen e Nako Spiros, që ju dha një mbështetje pikëpamjeve të Enverit, gjendja do të zhvillohej ndryshe dhe se Stalini do të ndikonte, por me mjaft vështirësi, sepse gjendja do të ishte siguruar para kësaj ndërhyrje, do të ishte plotësisht në duart tona”.
– Në fund të informacionit shoku Isa Dervshi vën shënimin; Mendoj që të bëjmë një informacion për lartë. Ka interes që të dihen. Më poshtë Rakim Beqaj ven shënimin: “Këto gjera i din familja shumë më mirë”. (Datë 16.2.1977).
– Në informacionin e datës 26.2.1977, (faqe 270) që bën fjalë për bisedat e ambasadorit turk, Bulent Kestili dhe ambasadorit Jugosllav Trajko Lipkovski, thuhet:
Trajko Lipkovski: “Takimi im me Kryeministrin, ishte i ngrohtë. Ai nuk më fshehu asgjë, më tha gjëra pozitive dhe miqësore. Foli shumë për situatën në Ballkan, por nuk akuzoi asnjë drejt për së drejti. Lidhur me marrëdhëniet Shqiptaro-Jugosllave, pavarësisht nga kontradiktat tashmë të njohura, ai shprehu mendimin se ekzistojnë fusha ku mund të bashkëpunohet. Përsëriti edhe njëherë qëndrimin e tyre, për mos lejimin e kujtdo qoftë që të sulmojë Jugosllavinë nga territori i tyre”
Bulent Kesteli: “Në takimin që pata unë, kaloi shumë mirë. Qëndrimi i tij ndaj vendit tonë ishte shumë miqësor. Konstatova se kryeministri shqiptar ishte mjaft i shqetësuar nga një shtrirje e mëtejshme e rusëve në Mesdhe. Ai tha se rusët duan të bëjnë ligjin në Mesdhe dhe nga ana tjetër, duan të futen në Adriatik, nëpërmjet Jugosllavëve”.
Nga tërësia e materialeve që studiuam në dosjet e këtij objekti, nuk evidentohet koha e të ashtuquajturave “periudha normalizimi”, në kuptimin e ndërprerjes së punës operative në drejtim të ambasadës Jugosllave, për çka nuk ka asnjë dokument shkresor, përveçse pohimeve gojore nga kuadro të ndryshëm të Sigurimit, për atë periudhë.
Nisur nga fakti, se përfaqësia jugosllave në Tiranë, ka shërbyer si avanposti i të gjitha zbulimeve revizioniste, këta armiq nuk kanë bërë asnjë propozim ose përçapje për vendosjen e Teknikës Operative, për të zbuluar në thellësi dhe gjerësi aktivitetin agjenturor të kuadrove të ambasadës Jugosllave në Tiranë, me agjentët e tyre në vendin tonë./ Memorie.al







