Nga Ermal Peçi
Sa herë vendos të shkruaj për politikën, e ndiej veten në borxh me dy palë njerëz, me familjen time, që më ka mbështetur pa kushte, dhe me rrethin tim shoqëror, që shpesh më fton ta shoh politikën përtej pasioneve partiake. E vërteta është se nuk kam asnjë dëshirë të veçantë të shkruaj për politikën shqiptare ashtu siç është katandisur sot, e varfër intelektualisht, e konsumuar dhe e parashikueshme. Një domen i lodhshëm, pa surpriza dhe pa ide.
Në Partinë Demokratike kam qenë një aktor periferik, por mjaftueshëm pranë për të parë nga afër momente kyçe që të japin një pasqyrë të qartë të asaj që realisht ka ndodhur brenda saj. Pikërisht për këtë arsye, sot nuk mund të hesht.
Para pak ditësh, disa media “zbuluan” se Lulzim Basha kishte nisur një punë të re në SHBA, një lajm pa burim, pa fakte dhe që i ngjante më shumë një fake news-i sesa një informacioni serioz. Sot, Sali Berisha i është rikthyer sërish sulmeve ndaj tij. Jo për ndonjë shqetësim parimor dhe as për ndonjë debat politik real, por sepse Basha është “tradhtari” i vetëm që i ka mbetur për të ushqyer militantizmin dhe, mbi të gjitha, për të shmangur çdo përgjegjësi për gjendjen ku ndodhet sot Partia Demokratike.
Berisha e di shumë mirë që Basha nuk ka shitur dhe nuk shet njeri dhe pikërisht kjo e djeg. Po të ishte ndryshe, Basha do të ishte sot pranë tij, njësoj si shumë deputetë dhe figura të tjera që kanë mësuar të rrotullohen sipas erës dhe interesit. Basha nuk ka tradhtuar asnjë nga parimet mbi të cilat Partia Demokratike lindi si një derë e hapur për SHBA-në dhe mbajti një qëndrim të qartë në mbështetje të SPAK-ut.
Berisha e di shumë mirë që Basha nuk ka bashkëpunuar kurrë me Edi Ramën, sepse po të kishte ndodhur kjo, vula e PD-së do të ishte sot në xhepin e tij.
Berisha e di po aq mirë që askush nga rrethi i afërt i Bashës nuk merr leje ndërtimi në Tiranë apo në Shqipëri. Berisha e di që Basha mbajti mbi supe jo vetëm Partinë Demokratike, por edhe vetë Berishën dhe Ilir Metën. Ai e di që në vitin 2021 PD-ja ishte vetëm 30 mijë vota larg fitores, në zgjedhje ku u shpallën rreth 80 mijë vota të pavlefshme, ku grupet kriminale vepronin më hapur se kurrë dhe ku Edi Rama përfaqësohej nga dy figura të shpallura non grata nga partnerët ndërkombëtarë.
Sot, ndërkohë, i njëjti Berisha që betohet se “nuk bën pazare me Ramën dhe me askënd”, rezulton 300 mijë vota minus dhe kjo shifër mund të jetë thelluar akoma më shumë sot. Këtu lind pyetja që askush nuk guxon ta bëjë me zë të lartë: si ka mundësi që ai që pretendon se nuk bën pazare me askënd është sot kaq i pafuqishëm për ta gërvishtur Ramën, edhe kur mendon se i ka të gjithë faktorët në favor?
Si ka mundësi që atë që ia bëri Partisë Demokratike më 8 janar, nuk ia bëri kurrë Edi Ramës dhe Kryeministrisë?
Ndoshta përgjigjja është shumë më e thjeshtë dhe shumë më e dhimbshme sesa propaganda, problemi nuk ka qenë kurrë Basha. Problemi ka qenë refuzimi për të pranuar përgjegjësi, frika nga pasqyra dhe pamundësia e frika për t’u larguar nga politika. Problemi është se nuk pranohet dot e vërteta pse PD-ja është në këtë gjendje, e mbyllur dhe e kthyer në një bunker ku rrotullohen rreth vetes.
Në këtë rreth viçioz ku Berisha ka futur PD-në, e vërteta është shumë e thjeshtë, sado të përpiqen ta fshehin, ai e di shumë mirë që Basha nuk shet njeri. Pikërisht për këtë arsye, Basha zgjodhi Partinë Demokratike dhe SHBA-në, e jo Berishën.







