Ballina Opinion Protestat dhe çarja e sistemit Rama-Berisha

Protestat dhe çarja e sistemit Rama-Berisha

72
0

Nga Erl Kodra 

Demokracia shqiptare është 36 vjeçe. Po kaq janë edhe vitet në pushtet e e klasës politike shqiptare. Shumë prej atyre që sot protestojnë kundër Edi Ramës dhe Sali Berishës, nuk kishin kishin lindur ose ishin fëmijë 1 deri në 10 vjeç. Të dy sot janë shprehur haptas kundër protestës, sepse për herë të parë, protestuesit i bashkuan së bashku në thirrjen

“Rama në burg, Berisha në burg”

Dhe më e bukura, njëri është Kryeministër i Shqipërisë prej 13 vitesh, ndërsa tjetri herë President, Kryeminstër dhe Kryetari i Përhershëm i Partisë Demokratike – prej 13 vitesh në opozitë. Mungon Ilir Meta, i burgosur për korrupsion nga SPAK – në pritje të gjykimit.

Kur po shkruaj këto rradhë, Kryeministri Edi Rama nga Mali i Zi po deklaron (i pyetur nga një gazetar i huaj) se “protestat po nxiten nga arqmiqtë e Shqipërisë”. Mundet që armiqtë e Shqipërisë të përpiqen ta shfrytëzojnë këtë protestë, por pse të mos përpiqemi ta shfrytëzojmë ne, shqiptarët, këtë energji të jashtëzakonshme kundër Edi Ramës dhe Sali Berishës?

Pse të lejojmë që “iranianët, rusët dhe kinezët” të shfrytëzojnë energjinë e rinisë tonë, dhe të mos e shfrytëzojmë këtë energji për veten, vendin dhe për të ardhmen tonë?

Tani imagjinoni pak se sa energji e madhe është grumbulluar në sheshet e Shqipërisë. Kritikët mund të thonë se “projekti i Zvërnecit është investim me interes shumë të madh për Shqipërinë”.

Edhe unë mendoj njësoj: një projekt i tillë ka vlerë dhe potencial të jashtëzakonshëm për të ardhmen. Por projekti duhet të jetë transparent. Deri më sot kemi dëgjuar vetëm informacione informale si dhe shfryrjet gjithë mllef dhe fyerje të Edi Ramës. Në fakt ky është një stil komunikimi që Rama e praktikon prej dekadash me shqiptarët – dhe me sukses. Por duket se kësaj rradhe ky stil komunikimi po refuzohet.

Ajo çfarë ka ndodhur këtë herë me qytetarët që protestojnë është diçka e pazakontë, që ndodh shumë rrallë, por kur ndodh, është e vështirë të parashikohet rrjedha që do të marrë.

Por një gjë duket e sigurtë:

Protesta është shprehje mllefit të mbledhur për 36 vjet me rradhë kundër klasës politike shqiptare, që kanë eleminuar çdo mundësi që shqiptarët të dëgjohen dhe të marrin vendime për jetën dhe të ardhmen e tyre. Arroganca, korrupsioni, klientelizmi, nepotizmi dhe lidhja me krimin ka qenë dhe mbetet në themel të qeverisjes së Edi Ramës dhe Sali Berishës. Vitet e fundit duket se kanë rënë dakort që të mos shkëmbejnë më vendet, por të konsolidojnë pushtetin – njëri në opozitë dhe tjetri në qeveri. Edhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 që ua mundësojnë këtë pushtet pakufi i bënë bashkë. Ata vendosin për gjithçka; brenda partive të tyre dhe jashtë partive të tyre, duke eleminuar çdo mundësi që të lindë ndonjë alternativë e re; qoftë sociale, ekonomike ose politike. Shqiptarëve që nuk rrjeshtohen pas tyre u mbetet vetëm një alternativë:

Të largohen nga Shqipëria. Dhe braktisja e Shqipërisë është e frikshme.

Por kjo që shkrova më sipër është vetëm njëra prej pamjeve.

Pamja tjetër është se protesta mund të manipulohet, dhe kësaj rradhe manipulatorët janë bashkuar, sepse i bashkuan protestuesit. Dhe ata janë mjeshtra të manipulimit; prova është se ata të dy kanë dekada që kanë punuar bashkë për këtë sistem.

Prandaj protesta duhet të sulmojë vet sistemin politik që i mban në këmbë Ramën dhe Berishën. Ndaj nuk ka asnjë rëndësi që protestuesit të kenë pikëpamje politike të njëjta; sepse është e pamundur. E rëndësishme është që ata të çajnë sistemin politik që kanë ngritur Sali Berisha dhe Edi Rama.

Po si çahet ky sistem politik?

Vetëm me kërkesa të qarta politike që çojnë në ndryshime të thella kushtetuese, duke u hequr monopolin e sistemit të mbyllur dy-partiak që ata kanë krijuar. Detajet mbeten për t’u eksploruar, por vetëm kjo do të çmontonte monopolin politik dhe ligjor që këta dy vëllezër siamez kanë krijuar për interesat e tyre personale politiko dhe ekonomike.

Ka ardhur koha që politika të përfaqësohet realisht me atë çfarë është;

Liberalët të jenë liberalë të vërtetë, konsevatorët të jenë konsevatorë real, të majtët të majtë. Edhe ekstremistët le të kenë partitë e tyre, pasi edhe ata nevojiten, për të kuptuar se çfarë nuk duhet të jetë kurrë shoqëria jonë.

Por së pari duhet çarë sistemi politik Rama-Berisha. Dhe ky është shansi.