Nga Ergys Mërtiri
Pasi ai kishte caktuar takimin e rradës ne Lezhë, Berisha lajmëron befas një foltore emergjente në Kombinat në të njëjtën orë. Qëllimi është i qartë, të dublojë kundërshtarin duke i marrë kohën televizive.
Në fakt, që kur nisi lëvizjen e vet, Salianji i ka percaktuar agjendën politike Berishës në çdo hap. Menjëherë ai nisi protestat, foltoret nëpër rrethe, analizën e zgjedhjeve 8 muaj pas humbjes.
Sulmet ndaj banale foltorike kane qenë pjesa tjetër dhe qesharake e dramës. Akuzat se Salianjin e ndihmojnë bandat e krimit, strukturat e Edi Ramës dhe tradhëtarët e brendshëm, janë aspekti humoristik që kulmon me përjashtimin e tij (të pamundur) nga partia që Berisha e quan vetëpërjashtim.
Ai që pak javë më parë konsiderohej hero i burgosur politikisht nga regjimi i Ramës, sot shpallet armik e tradhëtar, bashkëpunëtor i Ramës për të shkatërruar opozitën.
E për të mos u mjafruar me kaq, menjëherë pas tryezës për bashkimin e opozitës dhe thirrjeve për bashkim të gjerë me të gjithë spektrin opozitar nis një aksion spastrimesh në parti kundër të gjithë atyre që ai i quan tradhëtarë e bashkëpunëtorë të Ramës, si dhe atyre që nga mërzitja pse nuk morën postet e pretenduara, nuk punuan në zgjedhje.
Politika e re bashkime-spastrime tregon çbalancimin e rëndë mendor ku ka hyrë kjo opozitë, që në fakt pazaret me Ramën i bën vetë, duke filluar nga Berisha i pari, ndërsa pjesa më joaktive në zgjedhje ishte ajo e listës së mbyllur e caktuar arbitrarisht nga vetë Berisha në kundërshtim me statutin.
Pasi të gjejë e përjashtojë armiqtë e brendshëm dhe “elementin antiparti”, lideri historik do fillojë të përjashtojnë edhe masat e demokratëve që mbushin sallat e tradhëtarit. Në fund do mësojë si në atë skeçin e Koço Devoles për byronë politike ku Enveri bust kërkonte shpalljen e studentëve armiq të popullit. E kur Ramizi e sqaron se me studentët është bashkuar gjithë populli Enveri ia pret:
“Edhe populli të shpallet armik i popullit dhe partisë!”







