Ballina Kulturë ​Promovohet libri “Klithma” me rrëfime për keqtrajtimet e fëmijëve nga serbët gjatë...

​Promovohet libri “Klithma” me rrëfime për keqtrajtimet e fëmijëve nga serbët gjatë luftës

24
0

“Klithma”, është titulli i librit, i cili përmbledh tetë rrëfime që dëshmojnë dhunën barbare të serbëve ndaj fëmijëve. Ky libër u tha se përmban histori që përfaqësojnë dhimbjen e pafajësinë dhe ëndrrat e lëna në gjysmë të fëmijëve.

Ky libër i autores, Alketa Gashi Fazliu, u promovua sot ne Prishtinë në mesin e familjarëve, kolegëve e figurave të shquara të vendit.

Gashi-Fazliu: Klithma nuk është zhurmë, është ndërgjegje

“Në shtëpinë time lufta nuk do të përfundojë asnjëherë dhe ju e dini për çfarë po flas. Unë ditë e natë përballem me plagët e barbarit serb që ka shkaktuar mbi fëmijët, mbi të rinjtë e të rejat, mbi njerëzit e kësaj toke. Fëmijëve ua kujtoj çdo ditë e çdo natë se si duhet ta duan tokën e tyre, gjakun e tyre, dheun e tyre. Në qoftë se mendoni që mund të kem bërë diçka dhe kam gjak shpirti, kjo është falë prindërve të mijë që i kam aty, që çdo ditë, çdo natë dhe vazhdueshëm na i kanë përsëritur mua, vëllezërve dhe motrës që kjo është toka juaj dhe nëse është nevoja duhet ta leni edhe kokën. Uroj që mos vije ajo ditë, nënë dhe babë faleminderit që erdhët nga Gjermania… ‘Klithma’ nuk është zhurmë dhe nuk dua të bëjë zhurmë. ‘Klithma’ është ndërgjegje dhe uroj që të na përcjell gjatë”, tha ajo.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj tha se ky libër është dëshmi, për çka shtoi se tregimet janë thirrje edhe për të ardhmen.

Malaj: Rrëfimet në librin janë zëra rrëfimesh që u ndërprenë dhunshëm

“Në faqet e këtij botimi nuk gjenden vetëm tregime, por zëra fëmijësh që u ndërprenë dhunshëm nga historia. Histori që mbajnë brenda dhimbjen e pafajësisë së shkelur dhe plagën e hapur të një krimi që ende kërkon drejtësi. Klithma është thirrja e atyre që nuk patën mundësi të rriten, të ëndërrojnë dhe të jetojnë. Autorja Alketa Gashi Fazliu, pa dyshim një emër i njohur, i respektuar i gazetarisë, ka dëshmuar gjithë këto vite një përkushtim profesional dhe etik, me ndjeshmëri njerëzore, me integritet, me guxim”, ka thënë Malaj.

Flora Brovina, e cila është dëshmitare e vuajtjeve të fëmijëve dhe mjeke e asaj kohe, tha se lufta në Kosovë filloi me fëmijët.

Brovina: Helmimi i fëmijëve ishte masakra më e madhe në Kosovë

“Lufta në Kosovë filloi me fëmijët, dhe ju kujtohet masakrat e fëmijëve që ndodhën në protesta. Ju kujtohet sigurisht se në Kosovë ishin të helmuar afër 8 mijë fëmijë. Kjo është masakra më e madhe që na ka ndodhur dhe ishte hapi i parë i paralajmërimit të asaj që do të ndodhte. Helmimi i fëmijëve është një test popullor, a jemi të përgatitur ta kuptojmë se armiku do të na sulmojë pikërisht aty ku më së shumti na dhemb. A jemi të përgatitur profesionalisht të ju përgjigjemi atyre dhe të guxojmë ta pranojmë këtë dhe të mos hutohemi. Ishim shumë euforik në trajtimin e këtyre të helmuarve dhe të pa përgatitur”, përfundoi ajo.

Përveç promovimit të librit, në hollin e Institutit Albanologjik është paraqitur edhe një ekspozitë fotografike, e cila shpërfaq dhimbjet e fëmijëve.

Libri “Klithma” shpërfaq dhimbjen, traumën dhe pasojat e dhunës së ushtruar mbi fëmijët shqiptarë.